Home

Keqpolitika e faktit të kryer

Nuk habit më, me gjithë rrezikshmërinë e shtuar, tentativa e rradhës e PD-istëve në kundërshtim të hapur e të plotë me ligjin shqiptar, konkretizuar në nismën e fundit të kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, për “lirimin” e një anëtari të KQZ-së të zgjedhur nga LSI-a. Një tentativë që përpikmërisht demonstron se çfarë janë të gatshëm të bëjnë përfaqësuesit e partisë në pushtet kur vjen fjala për të mos e lëshuar pushtetin.

Tentativë e cila në xhiron e dy-tre ditëve, lindi dhe kaloi sakaq Komisionin e Ligjeve, në pritje të miratimit përfundimtar pas disa ditësh në Kuvend. Tentativë e cila qartësisht shkel një sërë nenesh sanksionuar posaçërisht nga Kodi Zgjedhor në fuqi, mbi rregullimin e mandatit të anëtarit të KQZ-së, që përcaktojnë në masë të lartë edhe pavarësinë e supozuar të këtij institucioni. Duke filluar nga termi i improvizuar “lirim nga detyra” i anëtarit, kur Kodi flet qartësisht për “ndërprerje të mandatit” në mënyrë të parakohshme; te arsyet e ndërprerjes të parakohshme të këtij mandati, që nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet e llojit të faktit të kryer të PD-së; te paanshmëria që Kodi Zgjedhor pretendon për anëtarët e KQZ-së pavarësisht zgjedhjes së tyre nga politika; dhe te vetë fraksioni i procesit ku parlamentarët kanë zë në kapitull lidhur me anëtarët e KQZ-së, që është vetëm momenti i zgjedhjes, pas të cilit këta të fundit i përgjigjen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.

E megjithatë, asnjë nga parashikimet e Kodit Zgjedhor në fuqi, një ligj që kërkon shumicë të cilësuar prej 3/5 për t’u miratuar, nuk e ndali shpurën e juristëve dhe të nismëtarëve PD-istë që të na ofronin një tjetër mundësi për të kujtuar kapacitetin e tyre për të shkelur ligjet me arrogancë e në kohë rekord.

Bëhet fjalë për shkelje e nisma të llojit që janë intensifikuar në vitet e fundit, e që gjithnjë e më shumë risjellin në kujtesë vitet e mbrapshta ’90: 1994 e Kushtetutës të autografuar nga Berisha, si për t’i dhënë një prekje të personalizuar themeleve të shtetit; 1996 e dhunës mbi opozitën, gazetarët e vrojtuesit e zgjedhjeve, pse nuk donin ta lëshonin pushtetin as të vdekur; 1997 famëkeqe e errësirës financiare, ekonomike, sociale e politike për të gjithë shqiptarët, nën kortezinë e pashmangshme të qeverisjes e presidencës PD-iste; 1998 e puçit të shtetit, sa kohë armët e 1997 ishin akoma të nxehta e të gatshme për përdorim. E më larg akoma 1992 dhe precedenti i përjashtimit të kandidatëve të ligjshëm për deputet nga listat e PD-së, pas përjashtimit të tyre nga partia. Ishte viti kur PD-ja sapo kish ardhur në pushtet me pretendimin dhe flamurin e demokratizimit të vendit, që nuk e pengoi aspak të shfaqte tendenca autoritare që në muajt e parë të veprimit.

Përjashtimit të zërave kritikë nga partia i pasoi kërkesa e kryesisë së PD-së, drejtuar Kuvendit Popullor në gushtin 1992, ku kërkohej heqja e emrave të tre të përjashtuarve edhe nga lista për deputetë, 6 muaj pasi ishin fituar zgjedhjet dhe kandidatët kishin tashmë vendin e tyre të pacënueshëm në listat fituese, në rast vendesh vakante në Kuvendin Popullor (për shkaqe dorëheqjesh eventuale, etj.).

Dhe në fakt, me krijimin e vakancës së tre vendeve në Kuvendin Popullor në gusht 1992, tre të përjashtuarve nga partia iu mohua me vendim Kuvendi Popullore drejta e ligjshme për t’u bërë deputetë. E drejta e tre të përjashtuarve nga partia, për të qenë sidoqoftë deputetët në vendet vakante, falë pozicionit të tyre në listë, të përcaktuar nga votat e marra dhe pozicionimi në listë, u shkel pa ceremoni, falë kërkesës që jo kryetari i grupit parlamentar (si në rastin e Patozit sot), por partia vetë, nga selitë e veta jashtë-institucionale, i drejtonte Kuvendit Popullor ku dhe ruante shumicën vendimmarrëse.

As Gjykata Kushtetuese e asaj kohe nuk arriti të vinte në vend të drejtën e të përjashtuarve nga partia, për të mos qenë të përjashtuar edhe nga listat. Në 1993, Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë kërkesën e tre kandidatëve të mbështetur nga Partia Socialiste, në shkelje të ligjit për zgjedhjet, që vendoste afate për ndryshimin dhe depozitimin e listave për deputetë para zgjedhjeve, gjë që i bënte listat të pacënueshmë pas zgjedhjeve, e aq më shumë 6 muaj pas zgjedhjeve, në cilësinë e dokumentave zgjedhorë. Për më tepër Gjykata Kushtetuese, dukshëm e ndikuar nga politika në vendimmarje, anashkaloi normën e ligjit në fuqi, edhe pse pranonte se ligji mbi zgjedhjet nuk parashikonte asnjë kusht të të qenit kandidat në listë elektorale krahas atij të të qenit anëtar ipartisë në fjalë. Në vend të zbatimit të ligjit ekzistues që nuk përmbante asnjë ndalim në këtë drejtim, Gjykata zgjodhi të improvizonte një rregull të atypëratyshëm, sipas së cilit: “Një parti nuk mund të detyrohet të mbajë në listat e veta si kandidatë të saj një person që vihet në opozitë me programin e saj. Largimi ose nxjerrja nga radhët e partisë presupozon edhe mundësinë e ndryshimeve në listën, kapërcimin në renditjen e saj”.

Çështja bëri bujë asokohe, e akoma sot përmendet në literaturë si një nga shkeljet e mëdha të realizuara në kuadrin zgjedhor e parlamentar shqiptar, e të shkeljes flagrante të ligjit. Megjithatë, 20 vjet më vonë nuk duket se gjërat kanë ndryshuar. Sot në 2013, në pragun e zgjedhjeve të reja parlamentare, parimi i shkeljes së hapur dhe i instaurimit të politikës së faktit të kryer, në kundërshtim të hapur me ligjin, nuk vonon të sjellë pasoja të menjëhershme në konfigurimin e KQZ-së si organ kyç për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Në rrugë tërësisht të njëanshme, imponuese e arrogante me gjithëçka shteti i shpërfolur ligjor përmban në esencën e tij, duke filluar nga bazamenti, ose zgjedhjet e lira e të ndershme.

Një tentativë ajo e djeshmja (vitet ‘90), e ndjekur besnikërisht nga e sotmja për të kontrolluar politikisht dhe paligjshmërisht, atë çka një ligj me shumicë të cilësuar si Kodi Zgjedhor, kërkon që të ruhet si organ i pavarur.

Kjo është tentativa e rradhës dhe pritshmëria prej kohësh është se nuk do të jetë e vetmja.

Improvizimet e kundraligjshme të kujt nuk ka ndërmend në asnjë formë t’i zbresë karriges së pushtetit, ashtu si dhe ato të organeve të garancisë (gjykatat), janë rikthyer në rend të ditës, njësoj si në vitet famëkeqe ‘90.

Pasojat janë të rëndësishme. Duke filluar nga pikëpyetja e madhe se ç’do të bëhet me ne e me këtë vend, me institucionet e nevojën e papërmbushur për ligjshmëri e drejtësi në dhjetëvjeçarë ku ndërrohen brezat, por mbetet e paprekur esenca perverse e kësaj politike kriminale. E duke vijuar me frikën se tashmë çdo thirrje apo pretendim për t’iu apeluar rregullave, sociale e morale, por sidomos ligjore, është shndërruar në mjetin më të suksesshëm të delegjitimimit të rregullave e ligjeve vetë, për sa kohë ligji e Kushtetuta shpërfolen në gojën e pushtetit që i shpërdoron përditë, para syve tanë. E duke e larguar gjithnjë e më shumë shpresën e shoqërisë shqiptare për një instaurim të ligjshmërisë e të drejtësisë thelbësore e funksionale.

Artikulimi i ligjit nga goja e pushtetit, sa vjen e përhumb në mënyrë perverse, linjën dalluese mes shkelësit e të shkelurit, përgjegjësit dhe pësuesit të paligjshmërisë e të dhunës shumëdimensionale, sot, njësoj si 20 vjet më parë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s