Home

Duhet reflektuar seriozisht mbi tendencën e një pjese të shoqërisë shqiptare për të kërkuar dënimin me vdekje sa herë përballet me krimin, e sidomos me krimin me dimension të rëndësishëm social, si krimi mbi të miturit. Duhet të na shqetësojë ky adresim i menjëhershëm i çështjes drejt istancës finale, dënimit kapital, duke anashkaluar sakaq shkaqet e krimit, përhapjen kapilare në shoqëri, nivelet e përhapjes, jetëgjatësinë në vite. E sidomos duhet të na shqetësojë qëndrimi i institucioneve shtetërore dhe politikat e masat e munguara në vite, të llojit edukues, social, e më tutje parandalues apo korrigjues të lindjes së krimit dhe të pasojave të tij.

Është i pashmangshëm roli i shtetit dhe i strukturave të tij në (mos)realizimin e “kanunizimin” sociales. Ashtu siç është e pashmangshme përgjegjësia shtetërore për të gjitha politikat dhe ndërhyrjet e munguara për parandalimin dhe kontrollin e krimit. E të gjitha strukturave, duke filluar nga ato me natyrë sociale që kanë përparësi kujdesin ndaj fëmijëve, pjesës më të ekspozuar e më në rrezik të shoqërisë; tek institucionet që kanë për detyrë të luftojnë varfërinë, të garantojnë minimumin e nevojshëm njerëzor, të garantojnë punësimin e gjithçka ndikon në përshëndoshjen morale e dinjitoze, përveçse materiale të sociales; tek institucionet e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë, që përherë e më shumë minojnë besimin e shoqërisë në strukturat e veta; e tek institucionet politike më të larta që kanë gjeneruar brerjen dhe zhbërjen e institucioneve të mësipërme duke lejuar rrëzimin e tyre (edhe pse muret mbahen ende në këmbë).

Duhet të reflektojmë seriozisht për mospërputhjen e fortë mes nevojës për siguri dhe shpërthimit të kësaj nevoje përballë vrasësit pedofil të supozuar. Pse nevoja për siguri që propozohet nëpërmjet varjes publike të kriminelit nuk merr për bazë një sërë pasigurish themelore që keqorientojnë përditshmërisht bashkëjetesën civile. Duke filluar nga pasiguria brenda mureve të shtëpisë (krimi në familje), jashtë atyre mureve (pasiguritë në rrugë, në ambjente pune, në ambjente sociale, në kuadër proteste). E duke u shtrirë më thellë e më rrezikshëm në pasigurinë që institucionet ushqejnë me keqfunksionimin e tyre.

Është e pamundur që një shoqëri e organizuar në shtet, që prej dhjetëvjeçarësh bashkëjeton pandashëm me pasigurinë, të gjejë shërimin nëpërmjet prerjes periodike të ca kokave në shesh. Siguria nuk kalon nëpërmjet kërkesës për dënimin kapital. Siguria shtrihet më thellë dhe në të vërtetë ka të bëjë me fotografinë e një shoqërie të përkulur mbi të tashmen, e që vizionin e shpresës pozitive e ka zëvendësuar me atë të nevojës për mbyllje, për kthim prapa, për siguri.

Nevoja për të jetuar me shpresë e në mirëqenie është zëvendësuar nga nevoja për t’u armatosur, për të linçuar e për të ndëshkuar dhe funksionon vetëm si lidhje e shkurtër e rrezikshme drejt uljes së standardit të ligjshmërisë.

Heqja e dënimit me vdekje është një ndër të paktat arritje të derisotshme edhe për shoqërinë shqiptare, sado e reflektuar kjo nga standarde të jashtme, të cilat do të donim prej kohësh t’i përvetësonim. E me gjithë përpjekjet e shoqërive të organizuara në shtet për eliminimin e kësaj mase ekstreme nga rendet e tyre juridikë, sot gjërat janë ende në proces e sipër. Në dhjetëvjeçarin e fundit, e jo pa kosto të forta sociale, 141 shtete kanë shfuqizuar vendimin me vdekje, e kanë eliminuar në praktikë ose kanë kufizuar zbatimin e saj vetëm për krimet më të rënda.

Heqja e dënimit me vdekje është një arritje shumë e vështirë që nënkupton një ndër standardet më domethënës në orientimin drejt vlerave me në qendër njeriun, jetën, dinjitetin dhe të drejtat e liritë e tij. Që nënkupton bazën e pikënisjes për një shoqëri të shëndetshme. Është një aspiratë e vështirë por e domosdoshme dhe e pashmangshme për çdo shoqëri në kërkim të vetes. Mohimi i dënimit me vdekje ka të bëjë me njohjen e të drejtës së jetës dhe të vlerës së saj të padiskutueshme. Mohimi i dënimit më vdekje nënkupton mohimin e krimit dhe të trajtimit çnjerëzor, të atij krimi e trajtimi që sot e prej vitesh e bren individin dhe socialen shqiptare.

Ekzekutimi, si formë ekstreme e agresionit fizik dhe mendor të njeriut, nuk mund të justifikohet me drejtësivënien, nuk hyn në logjikën e drejtësisë, e aq më shumë nëpërmjet dorës së shtetit. Asnjëherë nuk është provuar forca frenuese e dënimit me vdekje. Shteti që vret, kryen një vrasje të paramenduar. Shteti që vret është simptomë e kulturës së dhunës dhe jo e zgjidhjeve ndaj dhunës, sidomos në shoqëri si ajo shqiptare që i ka të freskëta manifestimet e pushtetit të armatosur për qëllime mbijetese të pastër partiake.

Shteti dhe shoqëria që kërkojnë dënimin me vdekje dëshmojnë të njëjtën gatishmëri të kriminelit në përdorimin e dhunës dhe të asgjesimit fizik (e jo vetëm) të tjetrit. Shteti që vret është sinonim diskriminimi dhe shtypjeje dhe shpesh vret pikërisht më të margjinalizuarit e shoqërisë. Shteti që vret përfaqëson krahun e armatosur të regjimeve autoritare, si mjet kërcënimi dhe shtypjeje të kundërpalës.

Dënimi me vdekje nuk shëron domosdoshmërisht dhimbjen e të afërmve të viktimës, teksa marrja e një jete për një jete tjetër nënkupton hakmarrjen e ligjëruar. Dënimi me vdekje nuk lë mundësi për asnjë rehabilitim të mundshëm, që nënkupton mohimin e njeriut dhe të dinjitetit të tij.

Dënimi me vdekje kërkohet si zgjdhje për pasigurinë, edhe pse pasiguria është gjendja me të cilën jetohet e mbijetohet tashmë prej vitesh në këtë vend. Pasiguria e ushqyer nga një sërë faktorësh, por sidomos si simptoma kryesore e dështimit të shtetit, nuk mund të gjejë përgjigje në përqafimin e strategjisë së frikës e të jetuarit në kushtet e emergjencës, e që passjell vetëm copëtimin e mëtejshëm të trupit social.

Nuk është frika nga pedofili apo vrasësi i rradhës, por frika me të cilën bashkëjetohet në të gjitha nivelet sot, që shfaqet akoma më e fuqishme në sisteme sociale që ende përjetojnë tensione e transformime që predispozojnë opinionin publik ndaj gjendjes së ankthit kolektiv. Lidhja e tyre me stilin e jetës e të punës, me jetën e pasigurt e me varfërinë e skajshme të individit duhet të na bëjë të reflektojmë e të reagojmë ndaj origjinës së krimit. Obsesionohemi me sigurinë vetëm sporadikisht, e kujtohemi për të ndërkohë që kemi lejuar dështimin e funksionimit të të gjithë rrjetit të supozuar institucional e social të mekanizmave të garancisë.

Dështimi i këtij shteti është dështimi ynë që nuk kemi pretenduar në vite përgjegjësinë e tij, rregullisht, në çdo instancë, pa lejuar që situata të precipitojë e të shndërrohet në gangrenë sociale, jashtë çdo kontrolli social e institucional të tij.

E ndërkohë e ardhmja nuk pret për vendimet tona, por modelohet teksa ne ende kërkojmë symbyllur e të pandërgjegjësuar rrugën për t’u shëruar, të paudhëhequr ende nga ndërgjegja kritike qytetare.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s