Home

For the story BC-EU—Albania-PresidentShkrim nga Yllka Lamçe

Dje mediat shpërndanë njëtrajtshmërisht lajmin se Presidenti i Republikës i qenka drejtuar prokurorëve duke u thënë të mos presin prej tij që të jenë të pavarur. Se pavarësinë e bëjnë ata me punën e tyre. Një mesazh ky të thuash pak kontroversial, kur mendon aktet normative të kësaj Republike, jurisprudencën kushtetuese dhe sa e sa doktrinë që deri më sot i kanë atribuar Presidentit një rol kyç në mbarëvajtjen dhe pavarësimin e organeve të drejtësisë, si gjyqtarët e prokurorët.

Në fakt Kushtetuta e ngarkon shprehimisht Presidentin e Republikës me rolin e garantit të këtyre organeve, ashtu siç e ngarkon me rolin e garantit të ligjshmërisë në Republikën e Shqipërisë. Kushtetuta u kërkon qoftë gjyqtarëve e prokurorëve, qoftë Presidentit, qoftë organeve të tjera shtetërore të kujdesen për mbarëvajtjen e pavarësisë së organeve të drejtësisë. Gjyqtarëve e prokurorëve ua kërkon duke sanksionuar se ata duhet t’i përgjigjen vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Presidentit ia kërkon duke i lënë në dorë emërimin e gjyqtarëve (me pëlqimin e Kuvendit) dhe prokurorëve, dhe shkarkimin e prokurorëve, në bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshëm. Në dorë të Presidentit Kushtetuta dhe ligjet parashikojnë edhe një sërë mekanizmash për ruajtjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Kurse organeve të tjera, sidomos organeve me natyrë të pastër politike, si Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave, u kërkon të mos ndërhyjnë në kompetencat e organeve të tjera. Të respektojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe pavarësinë e institucioneve. Ua kërkon sidomos organeve politike, meqënëse ato historikisht janë përpjekur të shkelin ligjet, ta gjejnë veten jashtë rregullave normative dhe të kontrollojnë organe të tjera duke ndërhyrë në sferat e tyre të kompetencës e duke ushtruar presion politik.

Historikisht në shumë eksperienca vërdallë dhe historikisht në Shqipërinë post-totalitare, organet politike kanë tentuar të kontrollojnë organet e drejtësisë. Aq më e vërtetë është kjo, kur në një shtet si Shqipëria, organet e drejtësisë duhet të merren me administrimin e krimit e të korrupsionit galopant, në nivel të organizuar shtetëror, e super të denoncuar nga qytetarë, autoritete e subjekte vendase, deri dhe autoritete të huaja perëndimoro-integruese.

Presidentit i janë besuar aq shumë kompetenca garancie për ruajtjen e ligjshmërisë, edhe pse ai është konceptuar si përfaqësues i popullit, i tërësisë së shtetasve të Republikës, të atyre që lexojnë mesazhet e tij, të atyre që qëllohen në ditën për diell në Republikën që ai kryeson, të atyre që ndjekin qëndrimet e tij për drejtësinë e munguar akoma sot e kësaj dite dhe përmasën e frikshme të krimit shtetëror. Sidomos në momente kaq të vështira, prej Presidentit pritet të dalë në anën e shtetasve, atyre që u vranë, e atyre që mund të ishin vrarë. Të pretendojë respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Të lirisë për të protestuar, të së drejtës për jetën e shëndetin, të së drejtës për të pasur e për t’u trajtuar me dinjitet në Republikën e Shqipërisë.

Prej Presidentit nuk pritet heshtja shurdhe, anashkalimi i pavëmendshëm dhe as larja e duarve me prokurorët në momente kyçe të veprimtarisë së tyre, në një kohë kur denoncimet për drejtësinë e munguar, për ndërhyrjet në të, për shkeljen e çdo parimi e rregulli të shtetit të së drejtës, janë në rend të ditës. Të paktën që nga Gërdeci i 2008, e nga 21 janari i 2011.

Presidenti ka zgjedhur të lajë duart, megjithëse Kushtetuta i ka besuar një rol të veçantë organit super parteslidhur me organet e drejtësisë e të garancisë, siç janë gjyqtarët dhe prokurorët. Sidomos prokurorët. Në fakt, nëse lidhur me gjyqtarët, Presidenti merr pjesë vetëm në emërimin e tyre (me pëlqimin e Kuvendit), lidhur me prokurorët, duke filluar nga krye prokurori, ai ka në dorë emërimin dhe shkarkimin e tyre. Pasi emëron me pëlqimin e Kuvendit Prokurorin e Përgjithshëm, Presidenti emëron prokurorët me propozimin e këtij të fundit. Është parashikuar pra një pjesëmarrje e dyfishtë e organeve kushtetuese për emërimin e organeve të garancisë, pikërisht për t’u siguruar, që në hapat e krijimit të tyre, pavarësinë e domosdoshme, si premisë e pashkelshme për mirëfunksionimin tyre.

Roli i Presidentit është akoma më i rëndësishëm lidhur me Prokurorin e Përgjithshëm, i cili mund të shkarkohet nga Presidenti, me propozimin e Kuvendit. Kjo formulë kushtetuese u shtjellua nga Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 75 të vitit 2002, duke sqaruar se kështu kërkohej t’i besohej Presidentit filtri i garancisë për Prokurorin e Përgjithshëm, duke i lënë Kuvendit vetëm nismën dhe Presidentit vendimmarrjen, mbi një propozim eventualisht të motivuar politikisht dhe duke shkelur procesin e rregullt ligjor. Një nga arsyet pse Presidenti është pra garant i ligjshmërisë.

Vendimi nr. 75 i 2002, u pasua nga vendimi nr. 76 i të njëjtit vit, lidhur me shkarkimin e bujshëm të Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi, në shkelje flagrante nga Kuvendi të çdo rregulli për një proces të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues vendimin për proprozimin e shkarkimit të Kuvendit si dhe dekretin e Presidentit që kishte “ratifikuar” propozimin, pa kryer verifikimet e nevojshme lidhur me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e shkarkimit. Rasti bëri bujë edhe për mënyrën arrogante se si Kuvendi vendosi të mos e zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e detyronte të përsëriste procedurën e shkarkimit, duke garantuar Prokurorin e Përgjithshëm lidhur me të drejtat e mbrojtjes, të njohjes me materialet në ngarkim të tij, etj. Rasti bëri bujë edhe për mësymjen politike që iu bë jo vetëm Prokurorit të Përgjithshëm, që nuk u kthye më në detyrë, por edhe për mënyrën si u vu në diskutim dhe u shkel autoriteti i Gjykatës Kushtetuese, vendimet e të cilës janë të paapelueshme, përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjithë.

Megjithatë ai vendim përfaqësoi themelin e domosdoshëm mbi të cilin Gjykata Kushtetuese do të ndërtonte një jurisprudencë të konsoliduar, mbi pavarësinë që duhet të gëzojë Prokuroria dhe Prokurori i Përgjithshëm. Në fakt në 2006-2008 Kuvendi sërish tentoi të propozonte shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Theodhori Sollakun, dhe sërish Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetutshmërinë e procedurave të ndjekura nga Kuvendi. Procedura që edhe pas 4 e më shumë vitesh nga precedenti Rakipi, nuk ishin kuptuar si të detyrueshme për organin politik. Me këtë rast, Presidenti i atëhershëm Alfred Moisiu, mbajti një qëndrim shumë korrekt duke mbrojtur Prokurorin e Përgjithshëm, duke mos dekretuar shkarkimin dhe duke rrëzuar propozimin e Kuvendit. Presidenti bëri atë që pritej dhe kërkohej prej tij. I qëndroi në krah organeve të drejtësisë, përfshirë vetë Gjykatën Kushtetuese, përballë sulmit të përhershëm nga organet politike. Presidenti Moisiu materializoi me përpikmëri shkronjën dhe shpirtin e Kushtetutës, duke mos lejuar ndërhyrje arbitrare, jashte rregullave të shtetit ligjor, në kompetencat dhe veprimtarinë e organeve të drejtësisë.

Kjo do të ishte pritshmëria e ligjshme për rolin e Presidentit, i cili sot gëzon edhe shembujt e suksesit, më shumë se paraardhësit e tij. Që ai të bënte përfaqësuesin e qytetarëve, të bënte garantin me të gjitha mjetet që i janë vënë në dispozicion. Në një vend ku krimi e korrupsioni shtetëror kanë brejtur thelbin e cilësisë së jetës institucionale e qytetare. Një President në krah të drejtësisë, një organ në funksion opozitar, për të balancuar gjithë çka pushteti politik tenton të akaparrojë prej shekujsh.

Ligjet e këtij vendi, jurisprudenca kushetetuese autoritare e këtij vendi, ndërgjegjia institucionale e qytetare e ngarkojnë Presidentin me detyrën që ai të bëjë pjesën e tij për të garantuar pavarësinë e prokurorëve. Jo me larje duarsh, kur nevoja për një Prokurori të pavarur denoncohet publikisht nga vendas e të huaj. Jo me duar të pastra. Jo sot.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s