Home

ImagePara disa ditësh mora përsipër të publikoj një artikull për gjyqin kushtetues që do të zhvillohet më 29 tetor midis Shoqatës së qeramarrësve të pronave shtetëtore ish-pronë private dhe shtetit dhe sot mora në rrugë të ndryshme komente nga individë që nuk janë dakord me sa kam shkruar. Me Sms, mesazhe ne facebook, emaile dhe komente në faqen ku u publikua artikulli, vinin ankesat e individëve të prekur, të cilët, kush me qytetari e kush me forma banale shprehnin se nuk binin dakord me mua pasi ata ishin pronarë dhe për afro 20 vjet nuk kanë arritur të gëzojnë pronat e tyre dhe se ajo që unë op propozoja nuk ishte aspak drejtësi.

E dini cfarë mendoj unë për ta? Kanë shumë të drejtë!

Ajo që po pësojnë pronarët me pronat e tyre të zëna nga ish-qeramarrësit e shtetit është e tmerrshme. Për 20 vjet ata cdo ditë, njëlloj si në 45 vjetët e komunizmit, kalojnë pranë shtëpive të tyre, i shohin por nuk munden t’i gëzojnë dot ato. Madje ka edhe nga ata që kanë ndërruar jetë pa pasur mundësi të jetojnë qoftë edhe për një ditë të vetme në shtëpinë ku kanë lindur. Është e vërtetë që ata kanë jetuar në kushte mizerie në kohën e diktaturës komuniste dhe se sot të paktën duan të gëzojnë dy ditë të bardha në oborrin e shtëpive të tyre.

Mirëpo kjo gjë nuk po ndodh. Nuk ndodhi më 1993-1996 kur u njohën pronarë masivisht nga komisionet shtetërore. Nuk ndodhi as më 2000, apo 2005. Më në fund sot ata po presin që Akti Normativ nr. 3 ta kthejë ëndrrën e tyre në realitet. Janë më pranë se kurrë dhe kjo është emocionuese gjithashtu. Në këtë situatë ata me të drejtë nuk pranojnë që dikush të vijë e tua prishë këtë ëndërr që në fund të fundit është e bazuar mbi një të drejtë të shenjtë. Mirëpo gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Sigurisht që unë do shtroja argumenta pa fund në favor të qeramarrësve sepse pala tjetër e ka avokatin e vet, që është qeveria. Por kësaj rradhe dua të them dy fjalë në një pozicion më të paanshëm.

Sic thashë, e drejta e pronës është e shenjtë. Ajo nuk kuptohet pa të drejtën për ta gëzuar pronën. Sigurisht që nuk ka asnjë kuptim që prona të figurojë vetëm në letra dhe në fakt ta gëzojë dikush tjetër pa lidhje. Por kjo gjë po ndodh jo për fajin e qeramarrësve. Kjo po ndodh për fajin e sistemit që kanë krijuar me dështimet e veta cdo qeveri njëra pas tjetrës.

Së pari duhet të kuptojmë se sistemi ynë ligjor përbëhet nga Kushtetuta që garanton parimet të cilat nuk ndryshohen nga humori i ndonjë mazhorance të momentit që pas 4 viteve mund të mos vijë më në pushtet. Pastaj sistemi ynë përbëhet nga marrëveshjet ndërkombëtare sepse kemi dëshirën e paepur që të bëhemi pjesë e cdo forumi botëror perëndimor si OKB, BE, KE, NATO, etj. Kjo anëtarësi në këto organizma na bën të përkulim kurrizet ndaj disa parimeve që jo vetëm mazhoranca jonë por edhe sikur të bashkohet me opozitën në një moment të caktuar përsëri ato nuk i ndryshojnë dot, sepse ky popull e do Europën dhe perëndimin. Pastaj në sistemin tonë janë ligjet e Kuvendit që nuk janë edhe aq të mira por që gjithsesi janë duke u përmirësuar cdo ditë. Por në sistemin tonë janë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese që bën kolaudimin e ligjeve. Të gjithë përcaktojnë rregulla se si duhet të sillemi dhe cfarë mund dhe cfarë nuk mund të bëjmë në jetë.

Ky sistem garanton të drejtën e pronës, por garanton edhe të drejtën e strehimit, edhe parimin e sigurisë juridike, e shumë e shumë parime të tjerë që nuk mjafton duhet së paku një dollap me libra për t’i përmbledhur. Pikërisht këtu qendron problemi, sepse qeveritë tona gjithmonë bëjnë rolin e avokatit të njërës palë dhe dëmtojnë palën tjetër, duke harruar atë dollapin e madhe me libra dhe konventa ku janë shkruar parimet. Në dukje qeveria duket shumë e mirë për ata që pritet të përfitojnë por kur futen këto vendime në skanerin e gjykatave ndizen të gjithë dritat e alarmit. Kjo gjë po ndodh për 20 vjet me rradhë edhe me pronat që kanë zënë ish-qeramarrësit e shtetit.

Për të kuptuar këtë duhet të kujtojmë se në fillim pronat u njohën por nuk u kthyen fizikisht sepse në këto banesa jetonin familje. Pasi u pa se problemi nuk ishte edhe aq i thjeshtë, diku në vitin 1995 u miratua një ligj, ai me numrin 8030 i cili u tha qeramarrësve “rrini aty ku jeni” dhe shteti do gjente format e duhura për t’i sistemuar. Deri në këtë moment pronarëve nuk do u kthehej asgjë. Qeramarrësit do dilnin nga shtëpitë deri sa të gjendej zgjidhja finale për ta, duke i mundësuar shtëpi me cmim fare të lirë sic i blenë ato 230.000 familjet shtëpiat e shtetit në fillim të viteve 90. Sigurisht që ky optimizëm i qeverisë së atëhershme nuk pati një fund të lumtur sepse qeveria nuk gjeti dot mundësi dhe para të ndërtonte dicka për këto familje. Më 1996 ekonomia kolapsoi, dhe më 1997 kolapsoi dhe shteti, i cili me zor e mori veten në vitet në vazhdim.

Qeveria e re e partisë tjetër, megjithëse pati në dispozicion 8 vite nuk arriti të zgjidhte asgjë. Kështu, ndonjë pehlivan mëndjendritur i asaj kohe mendoi “pse mos e heqim qafe këtë ligj dhe bëjmë një tjetër më të kollajtë?” Kështu më 2004 u prodhua ligji 9235 i cili fshinte si me gomë detyrimin e shtetit dhe i thoshte qeramarrësve që për 3 vjet do dilni nga shtëpitë dhe se shteti do u sigurojë kredi të butë. Pra nuk do merrni më shtëpi nga shteti, por do merrni një kredi dhe do ikni të vrisni veten pastaj. Patjetër që kjo ra si rrufe në qiell të hapur, sepse qeramarrësit kishin fjetur mendjen që shteti do u siguronte shtëpi sipas ligjit dhe tani shteti po lante duart nga ky detyrim. Ky ishte një moment i lumtur për pronarët që nga ana tjetër kishin pritur prej një dekade. Mirëpo, sic e thashë, qeveria kishte harruar të lexonte atë dollapin me libra dhe kështu qeramarrësit iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese e cila i kishte më të qarta idetë. Më 2005 ligji ra poshtë si një ligj idiot, dhe bashkë me të edhe shpresa e pronarëve.

Më 2005 në fushatë elektorale, shefi i partisë tjetër, asaj që ishte 8 vjet më përpara në pushtet, tha se me të ardhur në pushtet do i japë qeramarrësve shtëpi me cmim të lirë njëlloj sic përfituan 230 mijë familjet në vitin 1992. Kur kjo partia erdhi në pushtet nuk i pëlqeu kostoja e kësaj zgjidhjeje, kështu që ndonjë pehlivan tjetër, jo aq mendjendritur sa ai i partisë paraardhëse, mendoi “pse mos e provojmë edhe një herë ta heqim qafe atë ligjin e bezdisshëm? Mbase kësaj rradhe e hanë”. Kështu më 2006 u prodhua ligji tjetër, ai 9583, i cili provonte dhe një herë ti nxirrte qeramarrësit për 3 vjet dhe ti joshte me ca kredi të buta. Përsëri pronarët u lumturuan dhe besuan që kjo qeveri, ndryshe nga ajo tjetra, do ja dilte të zgjidhte problemin. Por qeramarrësit shkuan prapë atje ku tashmë e kishin mësuar rrugën dhe Gjykata Kushtetuese e hodhi prapë poshtë ligjin, si një ligj po aq idiot, dhe bashkë me të edhe shpresat e pronarëve. Kësaj rradhe ajo që u bezdis ishte Gjykata Kushtetuese e cila nxorri edhe disa rekomandime më të mëncura se cfare duhej të bënte qeveria për këtë problem.

Vitet kaluan një e nga një por qeveria nuk po përmbushte asnjë rekomandim. Kështu sot më 2012 del përsëri zyrtari ne format “pehlivani” i cili mendon “pse mos ti nxjerrim me shkelma këta një herë e mirë? Na mërzitën me këto ligje, konventa, delikatesa prej Strasburgu…ne jemi në pushtet, ne jemi më të fortët, pronarët kanë të drejtë, kështu dhe ne do justifikohemi”. Ehh.. përsëri pronarët po lumturohen për të tretën herë. Kësaj rradhe besojnë më fortsepse shohin devocionin tek qeveria si kurrë më parë. Shohin ministrat që bërtasin në parlament me zë 120 decibel, dhe më në fund shpresojnë fort. Sigurisht që kanë të drejtë të shpresojnë. Sigurisht që kanë të drejtë të kënaqen edhe me batutat elektrizuese të ministrit. Por kush është nga ana tjetër? Ata qeramarrësit nuk kanë ardhur nga ndonjë republikë tjetër. Ata nuk janë armiku. Ata janë njerëz me të drejta në këtë shtet, që ai dollapi i madhe me konventa i mbron njëlloj. Dhe sigurisht që ata do tentojnë për herë të tretë të hedhin poshtë ligjin sepse është po aq idiot sa dy të tjerët. Ai është i njëjti prodhim “made in pehlivan” dhe nuk e kalon dot provimin në Gjykatë Kushtetuese.

Edhe një herë shtroj pyetjen, kush është fajtor për këtë? As qeramarrësit nuk janë fajtor dhe as unë që shkruaj. Fajtor është Qeveria dhe vetëm Qeveria. Qeveritë e të dy partive që i bien shkurt dhe nuk sistemojnë qeramarrësit sa më shpejt në mënyrë që edhe pronarët të marrin pronat e t’i gëzojnë ato sic u takon. Të nxjerrin një copë fond dhe të përmbushin detyrimin e vitit 1995 dhe ti heqin këto lekë nga shpenzimet për salla të reja parlamentesh apo shpenzime të tjera jo dhe aq të domosdoshme.

Qeramarrësit nuk kanë asnjë faj. Ata erdhën në këto prona në mënyrë të ligjshme, qendruan në mënyrë të ligjshme në bazë të ligjit 8030, qendruan në mënyrë të ligjshme në bazë në vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në vitet 2005 dhe 2007 edhe për periudhën deri më sot. Problemi është tek pehlivanët e qeverive të cilët po prodhojnë gjithmonë e më shumë hajvallëqe, që i bëjnë të shkulin flokët profesorët e drejtësisë dhe gjyqtarët. Mund të duket bukur për pronarët që qeveria po bën përpjekje për ta zgjidhur me ligj por këto ligje nuk bëhen kështu me një të rënë të spatës si në mes të pyllit dhe pastaj rrëzohen blluq blluq blluq njëri pas tjetrit në Gjykatë Kushtetuese.

Për të mos e bërë më të bezdisshme këtë përgjigje, po e mbyll me rekomandimin tim që pronarët duhet të mësojnë të kërkojnë nga qeveria zgjidhje që kalojnë klasën e jo zgjidhje me përdorim shkelmash sikur jetojmë në republikën e dajakut ku karateja është sport kombëtar. Shumë vetëve i duket si prej komunisti ky artikull por kështu kaq komuniste është edhe Evropa, me stil kaq komunist gjykon edhe Strasburgu. Nëse nuk ju pëlqen atëherë ngrini zërin që të mos futemi në Evropë, në të kundërt kërkoni nga qeveria që të jetë më shumë evropiane, të lexojë pak se nuk e gjen gjë qeveritarin nga leximi, dhe mos të bëjë zgjidhje idiote sa për të larë gojën, që pastaj i lë pronarët me gisht në gojë edhe për 20 vjet të tjera.

D. Matlija

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s