Home

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, dhe përfaqësuesit e 70 familjarëve të 18 viktimave të shpërthimit të Gërdecit i janë drejtuar me një letër Kryeprokurores Ina Rama, duke i kërkuar asaj që të kërkojë rinisjen e gjykimit ndaj ish Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, pasi ai që sot nuk ka më imunitet.

Një kopje e letrës u është dërguar edhe Delegacionit të BE, OSBE-së, OKB-së, duke cituar edhe qëndrimet e tyre për këtë çështje. Ata njëzëri kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Përmbajtja e letrës:

E nderuar Znj. Prokurore e Përgjithshme,

Në emër të Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit dhe në emër të disa prej të dëmtuarve nga shpërthimi i Gërdecit më 15.03.2008, po Ju drejtohemi Juve me një kërkesë, të përsëritur në përmbajtje për Ju dhe për opinionin publik, por që ka mbetur e pazgjidhur dhe e papërfunduar në thelbin e saj.

Shoqata jonë dhe të gjithë familjarët e viktimave, të plagosurve dhe të dëmtuarve materialisht, kërkojnë vënien e të gjithë personave që dyshohen si përgjegjës përpara drejtësisë, jo vetëm ata 29 të pandehur që priten të gjykohen në Gjykatën e Apelit, por edhe të Fatmir Mediut, ndaj të cilit ende nuk është zhvilluar asnjë seancë.

Kjo tragjedi ka lënë pas dhe një pafundësi me probleme që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre. Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj pasojave të tragjedisë, sepse pas humbjes së vajzës së tij, ai është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, papunësi dhe probleme të tjera individuale e sociale, të cilat kanë ardhur nga depresioni i shkaktuar pas shpërthimit. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti, duke rritur numrin e viktimave. Kjo situatë e rënduar që nga data e shpërthimit e në vazhdim, ka detyrimin jo vetëm moral, por edhe ligjor, që të marrë zgjidhje.

Tashmë Kuvendi ka miratuar heqjen e pengesës normative për të ndjekur penalisht deputetët. Ky kuadër i ri normativ për imunitetet e deputetëve, krijon premisat e duhura për angazhimin Tuaj si institucion në këtë aksion në emër të drejtësisë. Më 11 tetor 2012 ndryshimi përkatës i Kushtetutës është botuar në Fletoren Zyrtare dhe nga data 26 tetor ka hyrë në fuqi, duke e bërë konkrete mundësinë tuaj për të vijuar ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, si i vetmi person i përfshirë por ende i pagjykuar për tragjedinë e Gërdecit, pikërisht për shkak të imunitetit që tashmë nuk e gëzon më.

Në këtë situatë, presim nga ana Juaj të rinisni veprimet aty ku kanë ndalur në datën 14 shtator 2009, në kohën kur Gjykata e Lartë konstatoi se Fatmir Mediu kishte sërish mbrojtje nga imuniteti i ri i fituar në zgjedhjet e vitit 2009. Kërkojmë nga institucioni Juaj që të çojë përpara drejtësisë deputetin dhe ministrin e akuzuar duke qënë se siç na u komunikua në atë kohë, imuniteti i ri ishte e vetmja pengesë që Gjykata e Lartë të vazhdonte gjykimin. Kujtojmë këtu se pas pushimit të çështjes, Juve nuk keni proceduar më tej pasi nevojitej një autorizim i ri nga Kuvendi, ndërkohë që përfaqësuesi Juaj ka deklaruar përpara Gjykatës së Lartë në procesin e nisur prej Shoqatës sonë se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka nisur për herë të dytë kërkesën për heqjen e imunitetit pasi “jemi në një situatë të paqartë juridike”.

Tashmë me heqjen e nevojës për autorizim për nisjen e ndjekjes penale dhe për gjykimin e deputetëve, situata juridike është shumë e qartë. Veprimet që kanë nevojë për autorizim tashmë janë vetëm vënia në arrest dhe kontrolli i banesës së deputetit, të cilat në rastin konkret nuk janë të domosdoshme dhe procedimi mund të vijojë fare mirë pa iu referuar këtyre procedurave.

Ju kujtojmë se në mënyrë të përsëritur edhe institucionet ndërkombëtare janë shprehur për problematikën e hetimeve të shpërthimit të Gërdecit. Në raportin e fundit të Kombeve të Bashkuara, Prokurorit të Përgjithshëm i kërkohet shprehimisht që të vendosë përpara përgjegjësisë të gjitha palët, dhe se për këtë duhet të kërkohet, në rastet e nevojshme, edhe heqja e imunitetit.

Shqetësim për trajtimin e çështjes në Gjykatën e Lartë është shprehur edhe në raportin e Komisionit Europian të datës 10.10.2012, sipas të cilit, për këtë çështje hetimet e plota nuk janë bërë për shkak të mos heqjes për herë të dytë të imunitetit. Raporti përmend gjithashtu edhe çështjen tjetër të nisur nga vetë të plagosurit, që Gjykata e Lartë e pushoi padrejtësisht, por që me vendimin nr. 27 dt. 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese iu kthye për gjykim Gjykatës së Lartë.

Ne besojmë se çështja e Gërdecit është një sprovë e madhe për të gjitha institucionet. Heqja e imunitetit nga Kuvendi tregoi se ka vullnet për t’i ballafaquar deputetët dhe zyrtarët e lartë me drejtësinë. Pesha e ngjarjes së Gërdecit, humbjet e jetëve të 26 të dashurve tanë më të afërt, duhet të jenë një shtysë e fortë që drejtësia të shprehet deri në fund. Vetëm pasi gjykatat të jenë shprehur për të gjithë personat e përfshirë ne do të kemi fituar qetësinë për të vazhduar përpara.

Duke shprehur konsideratën tonë më të lartë për punën Tuaj të deritanishme mbetemi në pritje të zbardhjes së çështjes deri në fund.

One thought on “Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit: Të gjykohet Fatmir Mediu sepse që sot nuk ka më imunitet

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s