Home

Më 29 tetor Gjykata Kushtetuese do të dëgjojë Shoqatën e Qeramarrësve në Shtëpitë Shtetërore ish Pronë Private, të cilët kanë kërkuar shfuqizimin e Aktit Normativ nr. 3 dt. 01.08.2012 si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo përpjekje, për të cilën Res Publica po ofron ndihmën ligjore falas, nuk është e para në historinë e kësaj shoqate para Gjykatës Kushtetuese. Dy përplasje të tjera më dy ligje të mëparshëm kanë ndodhur më 2005 dhe 2007. Në të dy rastet Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesat e tyre, duke shfuqizuar ato ligje pasi nuk ishin nxjerrë në përputhje me parimet kushtetuese.

Në ndryshim nga dy herët e tjera, kësaj here ka një qasje shumë të ashpër nga politika dhe mazhoranca në pushtet. Presioni politik është evident deri në nivel arrogant. Batutat “do t’i nxjerrim jashtë me shqelma” të artikuluara nga ministra, janë shprehje që distancojnë qeverinë nga funksionimi i shtetit të së drejtës. Kësaj here situata është trajtuar si emergjente dhe Këshilli i Ministrave ka miratuar një akt normative me fuqinë e ligjit, i cili justifikohet vetëm në situata të urgjencës dhe nevojës ekstreme. Një risi tjetër që sjellë ky akt është mohimi i të drejtës së pezullimit të urdhërave të ekzekutimit nga gjykatat.

Duket qartë që akti në fjalë përbën një prej vendimmarrjeve me cilësinë më të dobët nga ana e qeverisë aktuale. Ai është në të njëjtën linjë defektoze sic është edhe akti që vendos taksat e palogjikshme për të ngritur padi në gjykatë, ose akti që kufizon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore nga llogaria e buxhetit të shtetit. Duket sikur atje në zyrë ndonjë ministër i cili ndjen fuqinë e majës së stilolapsit të tij, kujton se më një të rënë të saj do të zgjidhë problemin e bezdisjes së shtetit, duke shkelur me dritëshkurtësi mbi parimet themelore mbi të cilat ngrihet një shoqëri demokratike. Ministra si ai i dretësisë që e shikon shtetin dhe gjykatat si dyqanin e tij, apo ai i punëve publike qe e sheh shtetin si cizme për të kapur me shkelma qytetarët, na duhet t’i edukojmë me aksion ligjor të mirëfilltë.

Sigurisht që në rastin e qiramarrësve të pronave që u janë kthyer ish-pronarëve ekziston një debat i hapur, por qendra e tij duhet të zhvendoset tek analiza e balancës së interesave të ligjshëm të pronarëve për të gëzuar pronën e tyre nga njëra anë, dhe interesave të ligjshëm të qiramarrësve për strehim, moscënim të sigurisë juridike, mosdiskriminim, nga ana tjetër. Ky debat bëhet zakonisht edhe në instancat e gjykatave ndërkombëtare sic është ajo e Strasburgut, apo komisione, si ai i OKB-së. Res Publica ka pikërisht këtë qëllim, që të zhvendosë epiqendrën e këtij debati atje ku duhet dhe t’i largohet sa më shumë gjuhës së urrejtjes që nxit konfliktin midis grupimeve, si pasojë e pamjaftueshmërisë së kulturës juridike të zyrtarëve të lartë.

Por cilat janë pretendimet e qeramarrësve? Ata kanë ngritur një sërë pretendimesh që kryesisht bazohen në nenet 15, 17, 18 dhe 101 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 6 dhe 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenet 2 e 11 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Le t’i trajtojmë ato me rradhë:

Së pari, Akti normativ i Këshillit të Ministrave nr.3 datë 1.08.2012, në thelbin e tij kërkon të realizojë rregullimin e marrëdhënies qeramarrës dhe ish pronarë përmes marrjes së një kredie, pavarësisht nga kushtet e saj, në të njëjtën mënyrë siç edhe parashikonte edhe ligji nr. 9235 dhe ligji nr .9583. Këto rregullime ligjore janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Në këto vendime arsyetohet shkelja e parimeve të rëndësishme kushtetuese, që lidhen direkt me të drejta të njohura dhe garantuara në Kushtetutë si parimit të sigurisë juridike, si dhe konstatohet një trajtim diskriminues ndaj shtresës së qeramarrësve, duke iu cënuar të drejtën e tyre për të jetuar dhe të drejtën për pasjen e një strehe. Fundja ata duan të trajtohen njëlloj si 230 mijë familjet e tjera që shteti u mundësoi blerjen e një apartamenti me cmim favorizues.

Së dyti, Akti Normativ nuk ofron një zgjidhje efektive të strehimit të kategorisë në fjalë pasi pushteti vendor nuk ka informacion nëse disponon mjetet dhe fondet e duhura për të realizuar procesin, si dhe BKT nuk bind se disponon mjetet e mjaftueshme për të përballuar procesin e kredidhënies. Sikur të mos mjaftonin këto, shumë prej kërkuesve nuk mund të përfitojnë kredinë me interes zero, pasi ata janë shumë të moshuar, jo të gjithë janë të lirë nga detyrime të tjera, pagat nuk i kanë në nivel të mjaftueshëm, si dhe nuk kanë mundësi të përballojnë pjesën prej 30% të blerjes së një apartamenti në momentin që banka nuk financon më shumë se 70% të vlerës së tij. Në tërësinë e zgjidhjeve të ofruara, duke qartë se ato janë bërë sa për t’u justifikuar se gjoja ka zgjidhje, por ato nuk janë efektive.

Së treti, Akti Normativ sjell një regres të të drejtave. Të drejtat e kësaj kategorie janë pakësuar. Masat regresive duhet të bëhen vetëm për arsye shumë të justifikuara në raport me totalin e të drejtave. Ato duhet të jenë të qarta dhe të justifikuara mirë. Qeveria nuk ka arritur të demonstrojë se nuk kishte asnjë mundësi tjetër pasi mori në konsideratë të gjitha alternativat e mundshme.

Së katërti, është mohuar mundësia e pezullimit të urdhërave të ekzekutimit nga gjykata, në kundërshtim ligjin. Në këtë mënyrë gjykata nuk ushtron dot funksionet e saj të kontrollit mbi administratën. Akti gjithashtu përmban edhe gabime të tilla si për shembull urdhërat e ekzekutimit do të kërkohen nga Enti Kombëtar i Banesave dhe jo nga vetë pronarët sic e kërkon ligji. Në këto kushte, shihet qartë se Akti Normativ është një corbë me probleme të mëdha legjitimimi, sidomos nga ana substanciale dhe se Avokati i Popullit theksonte se edhe gjuha e përdorur është e papërshtatshme duke futur fjalë që nuk përfaqësojnë koncepte juridikë.

Së pesti, Akti Normativ është marrë në kundërshtim me nenin 101 të Kushtetutës, pasi nuk verifikohet urgjenca, si dhe natyra e masave që merren nuk janë të përkohshme por të përhershmë. Është e vërtetë që është e nevojshme të gjendet një zgjidhje finale për kthimin e banesave tek pronarët e ligjshëm, por kjo nevojë nuk është urgjente deri në nivelin e marrjes së një mase të tillë ekstreme nga qeveria e jo nga Kuvendi. Kjo situatë ka qenë e tillë prej 20 vjetësh. Që nga viti 2007 kur daton vendimi i fundit i Gjyktaës Kushtetues e deri më sot qeveria nuk e pa si urgjente situatën. Më 01.08.2012 kjo nevojë u bë befas urgjente, në mesin e pushimeve verore. Qeveria nuk mori as mundimin të shpjegojë urgjencën që e detyroi të nxjerrë aktin normativ. Madje edhe në diskutimet në Kuvend bie në sy vazhdimisht vetëm argumentimi i nevojës por aspak i urgjencës.

Gjithashtu masat e marra nuk janë të përkohshme, pasi lirimi i banesave, lidhja e kredive afatgjata me interes zero, apo qoftë edhe dërgimi i të moshuarve të jetojnë në azil janë masa me karakter të përhershëm që nuk lidhen me ndonjë zgjidhje të përkohshme për shkak të ndonjë situtate emergjente.

Në mbështetje të këtyre argumentave janë edhe vendimet e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, por edhe vendime të ngjashëm të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si cështja Yordanova kundër Bullgarisë apo Gasimova kundër Azerbajxhanit, ku janë theksuar të njëjtat qendrime në raport me kufizimin e të drejtës së pronarëve kur shtetit i vihet përpara të zgjidhë problemin e strehimit adekuat dhe përfundimtar të poseduesit të pronave në fjalë. Madje në cështjen bullgare, Gjykata e Strasburgut urdhëroi qeverinë që të pezullnte zbatimin e ligjit gjatë kohës së gjykimit.

Një kërkesë e tillë për pezullimin e këtij akti është paraqitur edhe në rastin konkret nga shoqata kërkuese, ku theksohet se zbatimi i Aktit Normativ do te sillte pasoja serioze dhe te parikuperueshme. Pasojat mund të jenë fizike sepse qiramarrësit vazhdojnë të jetojnë në këto banesa dhe se në mes të muajit nëntor do të jemi përpara faktit të kryer të hedhjes në rrugë të mijëra familjeve. Kjo ndodh në një kohë që qeveria nuk ka kryer asnjë studim të mirëfilltë e të detajuar për familjet e pastreha se si paraqitet gjendja e tyre reale. Nuk dihet sa është numri i të moshuarve, grave shtatzëna, foshnjeve, invalidëve. Nuk dihet fare gjendja ekonomike e tyre. Nuk dihet se në cilën vlerë qeramarrësit kanë bërë investime të reja në këto banesa, shtesa, rikonstruksione, instalime, etj. Afati gjithashtu është shumë i shkurtër dhe jashtë logjikës normale. Koha e zgjedhur është e papërshtatshme, pasi po hyjmë në stinën e ftohtë. Autorët e aktit nuk kanë menduar fare se ku do i cojnë njerëzit mobiljet, sa kohë do t’i duhen t’i transportojnë ato, cdo ndodhë me ata fëmijë apo të moshuar që do të traumatizohen, etj.

Situata paraqet rrezikun e një dëmi real dhe të rëndë sepse ndryshon në mënyrë drastike mënyrën e jetesës së njerëzve, të cilët do të rrezikojnë të humbasin vendet e punës për shkak të diskonfortit të krijuar. Fëmijët do të bien ndjeshëm në mësime pasi nuk do kenë ku të mësojnë. Të sëmurët do ta kenë mjaft të vështirë dhe do rrezikojnë edhe jetën. Madje edhe konfliktet me pronarët do të rrezikojnë degradimin deri në pasoja të rënda për rendin.

Dëmi është i pariparueshëm gjithashtu, pasi po nuk u pezullua zbatimi i aktit nuk ka gjasa që situata të rikthehet në normalitet, edhe sikur Gjykata Kushtetuese të vendosë pozitivisht. Pronarët po nisin të marrin masa që këto prona ti shndërrojnë shumë shpejt në sheshe ndërtimi, duke furnizuar tregun e pasurive të paluajtshme dhe atë të ndërtimeve. Në këto kushte askush nga banorët aktuale nuk do të rikthehet në gjendjen e tij të mëparshme.

Pasojat do të kenë edhe një dimension social, pasi është e ngarkuar me emocione negative nga retorika politike e përdorur nga përfaqësues në qeverisë në Kuvend dhe në media. Ata janë përpjekur të tregojnë se kërkuesit janë uzurpues abuzues, pasardhës të atyre që dikur dhunonin shtresën tjetër, atë të ish-pronarëve, të cilët sot presin të gëzojnë pronën e tyre por që nuk po e gëzojnë për fajin e uzurpuesve. Batuta se më 1 nëntor do t’i nxjerrim me shqelma nga shtëpitë krijon idenë sikur këta individë nuk kanë pasur kurrë kontrata të rregullta me shtetin, nuk janë përkrahur kurrë nga Gjykata Kushtetuese. Ata po trajtohen njëlloj sikur këta të ishin një bandë harbute abuzive që tallet me ndjenjat e pronarëve të shkretë. Retorika politike është përpjekur të paraqesë kërkuesit si shkaktarë të problemit real dhe si fajtorë pse pronarët ende sot nuk gëzojnë pronat e tyre, duke fshehur faktin e vërtetë se ka qenë paaftësia e autoriteteve shtetërore në kohë të ndryshme për të zgjidhur përfundimisht problemin e qeramarrësve, duke sjellë moszgjidhjen automatike të problemit të pronarëve. Për këtë arsye ka gjasa të forta që të pronarët të jenë ngarkuar emocionalisht. Nga ana tjetër, nga qeramarrësit pritet që të ketë rezistencë, e cila mund të sjellë konflikte me pasoja të rënda për rendin.

Por, nuk do mungojnë as pasojat e dëmshme juridike, pasi në zbatim të Aktit Normativ do të nisë një vazhdë e tërë marrëdheniesh juridike, të cilat nëse akti do të konsiderohet nul nga Gjykata Kushtetuese, edhe të gjithë aktet e bazuara në të nuk do të kenë vlerë. Ndërkohë që do të jetë krijuar një katrahurë juridike me përmasa të frikshme, duke përmendur këtu lidhjen e qindra apo mijëra kontratave kredie në kushtet e nevojës së madhe; mijëra urdhërave ekzekutivë që do të dalin të paligjshëm dhe të pavlefshëm, ndërkohë që përmbaruesit do të kenë marrë pagesat e tarifave paradhënie, etj.

Të gjitha këto pasoja fizike, sociale dhe juridike, do të mund të eliminoheshin nëse Gjykata Kushtetuese do të pranojë kërkesën për pezullimin e zbatimit të Aktit Normativ deri në përfundim të gjykimit.
Këtë nismë e ka mbështetur edhe Avokati i Popullit i cili më 10.09.2012 i ka dërguar Kuvendit një shkresë ku thekson së Akti Normativ është i papajtueshëm me Kushtetutën. Ai thekson se shkelet parimi i sigurisë juridike, si dhe konstatohet një trajtim diskriminues ndaj shtresës së qeramarrësve. Avokati i Popullit ndër të tjera shprehet se nuk është përligjur nevoja dhe urgjenca dhe se masat që do të rezultojnë prej zbatimit të tij, kanë karakter të përhershëm. Afatet e përcaktuara për kryerjen e procedurave të nevojshme nga organet komptente të përcaktuara në këtë akt, janë ekstremisht të shkurtra. Akti ndalon pa të drejtë vendimmarrjen e Gjykatës kompetente të Shkallës së Parë, dhe se nuk ndodhemi para rastit të ekzistencës së interesit publik, gjë që do të legjitimonte cënimin e parimit të sigurisë juridike. Ndërhyrja efektive e shtetit nuk ka qënë në nivelin e duhur për të realizuar në fakt një të drejtë që individëve u garantohet nga Kushtetuta dhe gjithë kuadri ligjor ekzistues.

Më 29 tetor shumë prej momenteve të diskutueshëm më lart do të marrin një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Kjo përgjigje pritet të jetë në linjën e qendrimeve të mëparshme të kësaj gjykate. Për këtë arsye inkurajojmë pronarët që të jenë të pranishëm në procesin kushtetues të datë 29 tetor në orën 10.00, në mënyrë që të kuptojnë si qendron e vërteta, cilat janë të drejtat e tyre dhe deri ku shtrihet kufijtë e kësaj të drejte, si dhe të kuptojnë se fajtor i vetëm që ata nuk po gëzojnë pronat e tyre është shteti, i cili gjithnjë ka ofruar zgjidhje të karakterizuara nga demagogjia politike e momentit. Nëse shteti do të kishte ofruar me kohë zgjidhjen e pranueshme për qiramarrësit, atëherë pronarët do i kishin marrë pronat shumë kohë më parë. Mungesa e vizionit dhe e kulturës së politikëbërësave, e kombinuar me mungesën reale të interesit të tyre për të gjetur zgjidhje definitive të këtij problemi ka sjellë pasojën që rëndon në kurriz të pronarëve.

Pronarët duhet të qendrojnë gjakftohtë në gjykimin e cështjes, dhe nëse Gjykata Kushtetuese do rrëzojë edhe këtë akt normativ, atëherë zhgënjimi duhet të bëhet mësim për t’i bërë presionin e duhur pozitiv qeverisë që të gjejë një zgjidhje përfundimtare të problemit në fjalë, të tillë që të jetë e aftë të kalojë provimin e Gjykatës Kushtetuese një herë e mirë.

D. Matlija

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s