Home

Image

Aksesi në gjykatë dhe taksa e padisë kanë ardhur në vëmendje të shumë institucioneve kohët e fundit. Kur Kuvendi, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave rritën taksën e gjykatës, askush nuk e mendoi që kjo do të krijonte një problem të madh parimor.

Askush nga Kuvendi nuk mendoi se dy ministrave po u lihej në dorë kufizimi i një të drejte themelore të njeriut, i të drejtës për një proces të rregullt ligjor. E drejta e aksesit në gjykatë është e përfshirë në të drejtën e procesit të rregullt ligjor dhe kjo e drejtë kufizohet vetëm me ligj, e jo me akte ministrash, për të shmangur abuzimin me një të drejtë të tillë kaq delikate nga autoritete që nuk përfaqësojnë vullnetin e sovranit, sikundër është Kuvendi.

Kështu Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave, duke përdorur tashmë kompetencën e re të dhënë me ligj, parashikuan rritjen e taksave/tarifave të shërbimeve nga administrate gjyqësore. Rritja e nivelit bazë u bë me 8 herë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore (fillimisht nga 1.500 lekë u rrit në 3.000 dhe më pas në 12.000 lekë), ndërsa rritja e nivelit të lartë të taksës u bë me 3 herë, nga 1% në 3% të vlerës së kërkesëpadisë. Pra, për cdo 100.000 lekë që kërkoheshin nga gjykata duhej të paguheshin 3.000 lekë.

Në momentet e para ndaj këtyre ndryshimeve pati reagime sporadike nga komuniteti i juristëve, por më shumë se kundër rritjes së vlerës, ata ishin kundër faktit që ky kufizim po miratohej me një akt ministror dhe jo me ligj sic kërkon Kushtetuta. Zv. Ministri i asaj kohe, Z. Eduard Halimi, i cili sot është Ministër i Drejtësisë, u shpreh për gazetaren M.Picari se rritja ishte e përballueshme pasi palët janë të aftë të paguajnë avokatët e tyre në vlera disa herë më të larta se taksa e padisë. Ministri Halimi në këtë analizë mori parasysh vetëm një pjesë të realitetit shqiptar, sic është ai i individëve që trokasin në zyrat e avokatëve të njohur, paguajnë shuma relativisht të majme dhe taksa e padisë është një formalitet i parëndësishëm për këtë kategori në mirëqenie ekonomike. Mirëpo individët e varfër, të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë as avokatin dhe as taksën e padisë, nuk u morën parasysh. Në ligj apo edhe në aktin e ministrit nuk ishte përfshirë asnjë klauzolë përjashtuese për individët që nuk kanë aftësi paguese. Këta individë, duke mos pasur mundësi objektive të derdhin taksën prej 12.000 lekësh, apo prej 3% të vlerës së kërkuar, ata nuk kanë të drejtë të dëgjohen nga një gjykatë e caktuar me ligj.

Pa humbur shumë kohë nisën të verfikoheshin raste konkrete të individëve të cilët po u mohoej aksesi në gjykatë dhe kështu nisi një përplasje me një konstante rritjeje për të përmbysur këtë realitet të gabuar. Res Publica, me mbështetjen e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, ka shënuar disa raunde përpjekjesh, të cilat kanë evoluar si më poshtë:

 

Raundi 1

Reagimet e para zyrtare erdhën nga Res Publica në vitin 2010, kur para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u paraqitën kërkesat e para për përjashtimin nga taksa e padisë për familjarët e viktimave të Gërdecit. Shpërthimi i 15 marsit 2008 ishte shkaku i ardhjes së një pasojë tepër të rëndë, të humbjes së jetës së 26 shtetasve dhe Res Publica ngriti padi për familjet e 23 prej këtyre viktimave. Në të gjithë rastet konstatohej një dëm i madh, sic është humbja e jetës së anëtarëve të familjes, ku në shumë raste ata kishin lënë pas fëmijë të mitur të cilët i kishin pasur në ngarkim. Nga ana tjetër niveli ekonomik i tyre ishte shumë i ulët. Ky lloj kombinimi i një dëmi shumë të madh me një nivel ekonomik shumë të ulët ishte dhe rasti më flagrant i paaftësisë objektive paguese në raport me taksën tepër të lartë, e cila varionte nga 500 mijë deri në mbi 4 milion lekë (të reja). Res Publica e gjendur në të tilla rrethana e pa të arsyeshme të investonte kapacitetet e saj për të gjetur një zgjidhje përfundimtare të problemit në fjalë.

Një nga mënyrat e tentuara ishte orientimi i gjykatës që të vlerësonte drejtpërdrejt nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i cili parimisht duhet të gjejë zbatim para kodeve e ligjeve vendase. Me anën e kësaj përpjekjeje u synua që të testohej gjyqësori, e më pas të konsolidohej praktika, duke e konsideruar bazën ligjore që siguronte Konventa si të mjaftueshme. Por praktika tregoi se gjyqtarët nuk ishin ende të gatshëm të bënim një kapërcim të tillë parimor. Në diskutimet e bëra jepej gjithnjë mesazhi se parashikimet për kategori të veçanta personash duhej të parashikoheshin me ligj dhe se parashikimet e Konventës ishin shumë të përgjithshme, dhe të pakuptueshme sidomos nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ky institucion mund të përbënte një kërcënim serioz për gjykatën dhe se asnjë nga gjyqtarët nuk preferonte të aventuronte në ujërat e trazuara të përdorimit të një diskrecioni të keqinterpretueshëm. Mesazhi i transmetuar ishte se niveli aktual i botëkuptimit juridik kërkonte zgjidhje më konkrete, më të qarta, pa lënë shumë hapësira interpretimi.

Raundi 2

Pas dështimit të zgjidhjes së thjeshtë dhe natyrale të problemit, Res Publica mori përsipër të komunikonte me vetë Ministrin e Drejtësisë Z. Bujar Nishani, të cilit iu drejtua me një shkresë më 18.03.2011. Në shkresë bëhej një analizë e qartë e pengesës që përbënte taksa e padisë prej 3% të vlerës së kërkuar.

Duke qenë se sipas llogaritjeve, nisur nga praktikat vendase por edhe ato të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, shifrat e kërkuara në kërkesë padi do të ishin mbi 100.000 Euro për familjar, ndaj edhe taksa në këto raste do të llogaritej të paktën në masën 3000 Euro. Kjo shifër ishte e papërballueshme, nëse merrej në konsideratë që shumë paditës ishin pa punë dhe pa të ardhura të tjera, si dhe të tjerët që ishin të punësuar, kishin të ardhura nën 200 Euro në muaj, duke e pasur edhe këta të pamundur aksesin në gjykatë. Sipas llogaritjeve kërkimi i një të drejte të ligjshme duhej shoqëruar me një sakrificë prej vitesh, sikur këta njerëz të mos konsumonin asgjë dhe paga e tyre të shkonte vetëm për të paguar taksën e padisë. Situata bëhej edhe më e vështirë nëse merrnim në konsideratë faktin që këto nivele të ardhurash ishin shumë afër minimumit jetik, duke bërë praktikisht të pamundur kursimin e cdo qindarke. Në këto kushte, familjarët e viktimave të Gërdecit nuk mund të ushtronin të drejtën që t’i drejtohen gjykatës nëse ky nivel i taksës do të qëndronte i palëkundur para tyre dhe nuk do të kishte asnjë përjashtim.

Ministrit Nishani iu bë e qartë se Kodi i Procedurës Civile parashikon mundësitë e përjashtimit nga taksa, por kushtet dhe kriteret ia delegon legjislacionit përkatës për taksat. Ligji për taksat nga ana tjetër nuk parashikon asgjë në lidhje me përjashtimin nga pagimi i taksës të atyre individëve që nuk kanë mundësi ta paguajnë atë, apo cfarëdo lloj kategorie tjetër. Kërkesa iu drejtua Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave pasi ata ishin autoritetet që kanë kompetencën të përcaktojnë modalitetet e kësaj takse.

Për qendrën Res Publica ishte jashtë logjike që kërkimi në rrugë gjyqësore i dëmit të humbjes së jetës, i cili për nga vetë natyra e tij është shumë i madh, të kushtëzohej nga një prag takse të pakapërcyeshëm. Ministrit iu kërkua që të vlerësonte edhe faktin se në rastin konkret dëmi pretendohej të kishte ardhur nga veprimtaria shtetërore dhe shteti nuk mundej dhe nuk duhej të përdorte instrumenta pengues sic është taksa e pakapërcyeshme për të nisur aksionin ligjor kundër vetë administratës shtetërore. Ministrit iu kërkua të vlerësonte drejt parimin e aksesit të domosdoshëm në gjykatë, i mbrojtur fuqimisht nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe i konsoliduar nga jurisprudence e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Përsa i përket teknikave të gjetjes së zgjidhjes, qendra Res Publica, u shprej e gatshme të vinte në dispozicion kapacitetet e saj për të dhënë ndihmesën e saj me këshillimet dhe draftimet e nevojshme.

Mirëpo Ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave nuk kthyen asnjëherë një përgjigje zyrtare ndaj kësaj shkrese, duke detyruar Res Publican të ulej në stolin e pushimit dhe të përgatitej për raundin e tretë.

 

Raundi 3

Duke parë se sistemi nuk krijonte shumë mundësi efektive për zgjidhjen e këtij problemi, Res Publica vendosi të testojë një zgjidhje të pazakontë, atë të dërgimit të një çështjeje direkt në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pa pritur të ezauroheshin më parë ankimet në gjykatat vendase. Kjo lloj praktike pranohet rrallë, por nuk përjashtohet si mundësi. Gjykata e Strasburgut në raste të vecantë merr në shqyrtim cështje edhe kur krijon bindjen se ankimi në gjykatat vendase është tërësisht inefektiv. Kështu një individ (R. Bregu) që jetonte me ndihmë ekonomike dhe kërkonte të celte një gjyq pikërisht në lidhje me të ardhurat e tij, nuk kishte mundësi reale për t’u dëgjuar nga gjykata pasi objektivisht nuk kishte asnjë mundësi të paguante taksën e padisë. Sipas praktikës së gjykatës vlera e taksës merret në sportel në momentin e depozitimit të saj dhe kompetenca e dhënë sekretarisë së gjykatës në praktikë është e paankimueshme në gjykata më të larta për shkak të vetë natyrës së saj më shumë faktike se juridike.

Cështja është ende në pritje të shqyrtimit të saj, por sigurisht që për nga natyra e saj nuk ofron garancitë e duhura për zgjidhje. Kështu Res Publica preferoi të mos humbte kohë por të kërkonte zgjidhje të tjera.

 

Raundi 4

Që nga prilli 2011 e deri në maj 2012 Res Publica paraqiti në cdo rast në gjyqet e familjarëve të viktimave të Gërdecit, dhe në gjyqe të tjerë, mbi 20 kërkesa për përjashtim nga taksa e padisë. Në cdo rast kërkesat u shoqëruan me dokumenta provuese që tregonin nivelin e ulët të të ardhurave të aplikantëve, të cilët në pjesën dërrmuese ishin pa pune, pa pasuri të paluajtshme, pa biznese të regjistruara në organet tatimore, të patrajtuar me tokë bujqësore, pensionistë, nxënës shkollash, persona të trajtuar me ndihmë ekonomike, të mitur, etj. Në të gjithë rastet gjyqtarët kanë hezituar të dalin me një vendim pro apo kundër këtyre kërkesave, duke gjetur moduse për të shtyrë zgjidhjen në seancat pasardhëse.

Risia e këtyre kërkesave ishte shoqërimi i tyre me një kërkesë alternative, që ishte kërkesa për kontroll incidental të ligjit për taksat me Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Për herë të parë gjykatës iu dha mundësia që të zgjedhë në mes këtyre objekteve atë që konsideronte më të përshtatshëm. Madje u ofrua si e pranueshme edhe një zgjidhje e tretë, ajo e pagesës së mëvonshme apo e ndarjes me këste të taksës së padisë. Mirëpo në cdo rast gjykata hezitoi për të zgjedhur edhe midis këtyre varianteve.

Ndërmjet argumentave të ndryshëm që u sollën në vëmendjen e gjykatës ishin se kërkesa bëhej bazuar në parimin kushtetues për të siguruar akses në drejtësi për të gjithë, si një parim i mbrojtur fuqimisht nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe nga praktikat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Gjykatës iu soll si shëmbull një nga cështjet bazë që ka trajtuar një rast të tillë, Kreuz kundër Polonisë, aplikimi nr. 28249/95, gjykim i datës 19-06-2001. Në këtë rast: “Gjykata (e Strasburgut) konsideroi që autoritetet gjyqësore nuk kishin arritur të siguronin një baraspeshë të duhur ndërmjet, në njërën anë, interesit të Shtetit në mbledhjen e taksave gjyqësore dhe, në anën tjetër, interesit të kërkuesit në vendikimin e pretendimit të tij përmes gjykatave. Pagesa e kërkuar ndaj aplikantit me veprimin e tij ishte e tepruar dhe rezultoi në pushimin e gjykimit mbi pretendimin e tij duke mos u dëgjuar nga një gjykatë, e cila, sipas mendimit të Gjykatës, ka dëmtuar thelbin e të drejtës së tij për akses në gjykatë. Si rezultat, Gjykata gjeti se kishte pasur shkelje të nenit 6 § 1.”

Nga Res Publica u pranua se Gjykata e Strasburgut e ka përsëritur dhe theksuar disa herë se e drejta për akses në gjykatë, e garantuar nga neni 6 i Konventës, nuk është absolute, por mund të jetë subjekt i kufizimeve duke pranuar se imponimi i taksave gjyqësore ose shpenzimeve të lidhura me të nuk përbën në parim dhe në vetvete një shkelje të Nenit 6. Megjithatë kjo Gjykatë ka bërë gjithashtu të qartë se kufizime të tilla nuk duhet të pengojnë padrejtësisht aksesin e aplikantit në gjykatë. Këto kufizime duhet të jenë në mbështetje të një objektivi legjitim, ndërsa duhet të ekzistojë një marrëdhënie e arsyeshme e proporcionalitetit midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit legjitim që kërkohet të arrihet.

Res Publica e orientoi Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë që për të vlerësuar nëse kërkesa për të paguar taksat gjyqësore në çdo rast të caktuar nuk është në kundërshtim me nenin 6, Gjykata e Strasburgut merr në konsideratë parametrat në vijim: nivein e tarifës së kërkuar, gjendjen financiare të aplikantit, nëse kufizimi i të drejtës për akses në gjyq është thjesht e natyrës financiare, në fazën e procedurale në të cilën pagesat janë të zbatueshme dhe nëse ajo mund të paguhet në këste, nëse procesi kryesor gjyqësor mund të vazhdojë i pavarur në lidhje me pagesën ose jo të taksës gjyqësore dhe gjykimit në fund nëse nga kërkesa për pagesën e taksës gjyqësore mund të hiqet dorë,

Jo pak cështje u sollën si shembuj si Urbanek kundër Austrisë, Pedro Ramos kundër Zvicrës,  Podbielski dhe PPU Polpure kundër Polonisë, Paykar Yev Haghtanak Ltd kundër Armenisë, Marina kundër Letonisë, etj. E përbashkëta e të gjithë këtyre rasteve të mësipërm është se gjykata duhet të shqyrtojë me kujdes nëse është e pritshme që aplikantët të paguajnë taksën e nevojshme gjyqësore. Në rast të kundërt gjykata duhet të shqyrtojë se si mund t’i ndihmojë kërkuesit në lidhje me detyrimin për të paguar taksat gjyqësore, duke siguruar që ai të jetë të dëgjohet nga gjykata.

Në rastin e familjarëve të viktimave të Gërdecit kërkuesit janë në pamundësi për të shlyer këtë detyrim dhe ata rrezikonin që të mos kishin asnjë të drejtë për t’u dëgjuar nga gjykata nëse kjo e fundit nuk do të pranonte kërkesën për t’i përjashtuar ata totalisht nga detyrimi për të paguar taksën (tarifën) e ngritjes së padisë. E njëjta nevojë paraqitet edhe përsa i përket shpenzimeve të tjera sic janë ato të parashikuara nga neni 105/b i Kodit të Procedurës Civile. Vlen të theksohet edhe fakti se kërkuesit kanë pajtuar avokatët e qendrës Res Publica, e cila ofron shërbime ligjore pa pagesë, për arsye të pamundësisë financiare për të përballuar shpenzimet për avokat.

Gjykatës iu kërkuar që nëse nuk do ta shihte si të pranueshme përjashtimin nga pagesa e tarifës në fjalë, atëherë të shihte mundësinë që kjo tarifë të paguhej me këste të përballueshme nga paditësit, në proporcion me të ardhurat e tij, pas një investigimi të mundësive reale financiare që ai ka.

Duke parë se ky ishte një problem që lidhej ngushtë me perceptimin e gjyqtarëve, Res Publica u mundua të ndërtonte dialog me ata gjyqtarë që kishin prirjen të pranonin se kërkesa ishte në thelb e drejtë dhe se aksesi në gjykatë prevalon mbi interesin e shtetit për të siguruar financimin e shërbimeve të veta. Një prej gjyqtarëve, Z. Klodian Rado, gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec tashmë kishte bërë udhë në këtë drejtim duke kërkuar kontrollin incidental të një norme të Kodit Doganor me Kushtetutën për të njëjtat arsye. Kërkesa e tij u pasua nga një vendim pozitiv i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010. Ky precedent i suksesshëm iu referua cdo gjyqtari në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe më 2 maj 2012, gjyqtarja Enkela Bajo (Vlora) mori vendimin për të kërkuar kontrollin incidental të ligjit për taksat dhe tarifat në raport me Kushtetutën. Vendimi në fjalë u parapri me dy javë nga vendimi me të njëjtin objekt i gjyqtarit Klodian Rado në Pogradec, i cili tashmë mori përsipër të zgjidhte vetë, në mënyrë më efektive se shumë organizata të shoqërisë civile, problemin e pengesës së padrejtë të aksesit në gjykatë, ardhur nga taksa e papërballueshme e padisë.

Pas këtyre dy kërkesave paralele, gjyqtarët e tjerë, të cilëve u ishte paraqitur një kërkesë e tillë, vendosën të pezullojnë ose të shtyjnë proceset deri në momentin që Gjykata Kushtetuese do të shprehej me një vendim final.

Raundi 5

Vendimet e gjyqtarit Rado dhe gjyqtares Bajo (Vlora) vunë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një përgjigje finale rreth problemit në fjalë. Sigurisht që ky vendim do të përcaktonte edhe fatet e cështjes Bregu kundër Shqipërisë, e cila pret në Strasburg.

Në datat 18 shtator dhe 4 tetor 2012 Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar dy seanca dëgjimore ku u shpalosën argumentat e palës tjetër, Kuvendit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.  Në seancën e datës 4 tetor 2012 peshën kryesore e zunë pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë, e cila argumentoi kryesisht se:

  • pavarësisht rritjes së taksës së padisë, numri i cështjeve të trajtuara nga gjykatat kanë pësuar rritje;
  • një nga arsyet ishte edhe përdorimi i kësaj takse si instrument për të frenuar rritjen e mëtejshme të numrit të cështjeve duke parë mbingarkesën e gjykatave;
  • palët nuk kanë ezauruar ankimin në gjykatat e tjera para se t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Asnjë nga këto argumenta nuk vlen për t’u marrë seriozisht nga Gjykata Kushtetuese, sepse rritja e numrit të cështjeve është argument shumë përgjithësues dhe nuk lidhet direkt me kërkesën e personave konkretë të cilët duken qartë se u është mohuar aksesi në gjykatë. Cështja nuk duhet të shtrohet se sa cështje janë trajtuar nga gjykata por sa cështje mund të ishin trajtuar nëse taksa e padisë nuk do të përbënte pengesë serioze.

Përdorimi i taksës si mjet për të frenuar rritjen e mbingarkesës së gjykatës ishte edhe qershia mbi tortë i gjithë këtij diskursi, sepse ky është edhe treguesi kryesor që kemi të bëjmë me një pengim të qëllimshëm dhe aspak aksidental të aksesit në gjykatë të individëve të varfër.

Gjithashtu edhe argumenti tjetër nuk vlen pasi për shpalljen antikushtetues të ligjeve dhe për interpretimin e tyre kompetenca ekskluzive i takon Gjykatës Kushtetuese dhe asnjë gjykatë tjetër nuk mund të ezaurojë këtë funksion.

Raundi 6

Në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese nuk mund të linim pa provuar edhe nxitjen e cdo presioni pozitiv për t’u zgjidhur ky problem edhe me shtysën e organizmave ndërkombëtarë.

Ndërsa fatkeqësisht argumentet e renditura para Gjykatës Kushtetuese janë shprehur nga zyrtarë të qeverisë, disa zhvillime të rëndësishme kanë ndodhur kohët e fundit për çështjen e aksesit në drejtësi për njerëzit e varfër në një nivel ndërkombëtar. Shtatorin e kaluar, Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara me  vendimin A/HRC/21/L.20 të datës 21 shtator 2012, miratoi parimet e rishikuara udhëzuese për varfërinë e skajshme dhe të drejtat e njeriut vënë përpara nga Raportuesi Special mbi varfërinë ekstreme dhe të drejtat e njeriut, duke i cilësuar ato si “një mjet i dobishëm për shtetet në formulimin dhe zbatimin e politikave të reduktimit dhe çrrënjosjes së varfërisë”. Pa dyshim, gjuha e përdorur në dokumentet e OKB-së mund të jetë shumë e thatë dhe vendimi lexohet më shumë si një artikull akademik sesa një thirrje e zjarrtë për veprim. Por kurrë nuk duhet të harrojmë se mungesa e aksesit në drejtësi ka pasoja shumë negative materiale për njerëzit e varfër. Siç është përcaktuar me elokuencë në një artikull të kohëve të fundit (përkthyer nga Res Publica në gjuhën shqipe për t’u riprodhuar në postin e ardhshëm) nga filantropisti George Soros dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Fazle Hasan Abed: “Pa një fuqizim ligjor bazë, të varfërve jetojnë në ekzistencë të pasigurt, nga frika e privimit zhvendosjes zhveshjes nga posedimi. Një i mitur është arrestuar gabimisht dhe humbet kohë në shkollë, toka në fshat dëmtohet nga një kompani minerare pa kompensim, një vejusheje analfabete i mohoet trashëgimia që ajo ka të drejtë të përfitojë dhe për këtë arsye e detyrojnë ta hedhin në rrugë së bashku me fëmijët e saj.” Edhe pse këto fjalë nuk janë shkruar duke pasur Shqipërinë në mendje, me siguri që disa prej lexuesve e dinë apo madje edhe gjejnë veten në një telash të ngjashëm.

Megjithëse duket pak e cuditshme, vëmë re se Shqipëria ka marrë angazhime të kahershme për të bërë zgjidhje në favor të shtresave të varfëra. Në vitin 2006 Shqipëria ishte një prej shteteve iniciatorë të Rezolutës nr. 2006/9 të OKB Implementation of existing human rights norms and standards in the context of the fight against extreme poverty.” Madje aq aktiv ka qenë pozicioni i Shqipërisë në këto vitet e fundit saqë në vitin 2009 Seminari Draft Guiding Principles on Extreme Poverty and Human Rights: The Rights of the Poor” është drejtuar nga ambasadori i Shqipërisë në OKB Z. Sejdi Qerimaj. Por Shqipëria ka shfaqur dy fytyra të ndryshme. Në politikën e jashtme është përpjekur të mbajë flamurin në luftën për t’i siguruar të varfërve akses në shëndetësi, arsim, drejtësi etj, ndërsa në politikën e brendshme tregon një mungesë të plotë interesi për të ndihmuar këto shtresa. Madje i bllokon ato në mënyrë të qëllimshme nëse do të merrnim për bazë deklaratën e përfaqësueses së Ministrisë së Drejtësisë para Gjykatës Kushtetuese, deklaratë që provokoi deri edhe pyetjen cinike të njërit prej gjyqtarëve “pse duhet neni 158/a në Kodin e Procedurës Civile atëherë? Kërkoni shfuqizimin e tij më mirë…”

Megjithatë, me kalimin e viteve pamja e politikës së brendshme të Shqipërisë është futur gjithmonë e më shumë në fokusin e organizmave ndërkombëtarë. Më 12.10.2012 gjatë prezantimit të progres raportit të fundit të Shqipërisë,përfaqësuesi i Res Publica, Dorian Matlija shtroi pyetjen se “…në faqen 17 ngrini shqetësimin që grupe vulnerabile nuk kanë mundësi të kenë akses në gjykatë për shkak të tarifave të larta. Duke qenë se numri i individëve të këtyre grupeve vulnerabile mund të shkojë deri në 400 mijë shqiptarë, nisur edhe nga statistikat e personave që jetojnë në nivelet e minimumit jetik, a e konsideroni zgjidhjen e kësaj cështjeje si emergjente, e cila duhet të trajtohet së bashke me aspektet e tjerë të reformës në drejtësi?”. Kësaj pyetjeje,Shefi i Seksionit te Politikës, Ekonomisë dhe Informacionit, Z. Clive Rumbold, i autorizuar per t’u pergjigjur nga ambasadori Ettore Sequi, iu përgjigj: “Ky është një problem shumë i madh, sepse aksesi në gjykatë është shumë i rëndësishëm në një shoqëri demokratike. Ne kemi informacione nga organizata të ndryshme rreth këtij problemi që është ende i pazgjidhur. Sigurisht që ka lidhje me reformat në drejtësi, por mendoj se nuk është vetëm problem i ligjeve por edhe i implemetimit të tyre, pasi ka probleme në marrëdhëniet dhe koordinimin mes intitucioneve. Mungesa e gjetjes së një zgjidhjeje deri tani për sigurimin e aksesit ne gjykate te personave te varfer eshte nje deshtim. Përderisa ne e kemi publikuar edhe në progres raport këtë fakt, do të thotë që ne e kemi në vëmendjen tonë si problem dhe se në të ardhmen do të vazhdojmë të kërkojmë prej qeverisë shqiptare që të zgjidhë përfundimisht këtë problem.”

Kjo deklaratë nuk është e shkëputur sepse edhe raporte të tjerë kanë prekur këtë temë. Përfaqësuesi i lartë i BE bëri në këtë rast jo vetëm një koment shumë të qartë për dështimin e Shqipërisë në këtë aspekt, por theksoi se zgjidhja duhej të bëhej shpejt dhe se konsiderohej si pjesë e reformës zgjedhore, në një kohë kur kjo reformë është një prej 3 pikave të mbetura pa zgjidhur deri tani nga Shqipëria për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësimin në BE.

 

Raundi 7

Në pritje të një zgjidhjes së këtij ngërci nga Gjykata Kushtetuese, Res Publica është e ndërgjegjshme se kjo nuk mund të përbëjë një zgjidhje finale. Nisur nga misioni i Gjykatës Kushtetuese ajo nuk mund të prodhojë norma të reja juridike, por vetëm mund të shpallë normat aktuale si antikushtetuese ose jo. Për këtë arsye lind nevoja të gjendet një zgjidhje e plotë dhe e përhershme.

Res Publica prej kohësh ka përgatitur një draft për një ndërhyrje në ligjin për taksat, por evolimi i mendimit juridik ka sjellë nevojën e rishikimit të këtij drafti, duke marrë edhe mendimin e organizatave të tjera. Kohët e fundit është duke u diskutuar edhe një draft tjetër nga një organizatë kolege, por edhe në këtë rast jemi përpara nevojës që kjo zgjidhje të jetë më gjithëpërfshirëse sepse ka ardhur koha për një zgjidhje finale që nuk prek vetëm një kategori të vogël, por një masë shumë të madhe individësh e personash juridikë, si dhe të bëjë një riklasifikim të shërbimeve dhe tarifave të tyre.

Res Publica mendon se është e aftë të parashtrojë një zgjidhje tekniko legjislative të mirë, por kjo kërkon koordinimin e veprimeve me shumë subjekte ndaj dhe fton të gjitha organizatat e interesuara që të bashkëpunojnë, në mënyrë që ky kapitull të gjejë një zgjidhje të pëlqyeshme dhe afatgjatë.

D. Matlija

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s