Home

Tiranë, më 21 mars 2012

Peticion i Shoqërisë Civile – Drejtësi për Tragjedinë e Gërdecit

Shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec në 15 mars 2008, shkaktoi vdekjen e 26 personave, mes tyre 2 fëmijë, plagosjen e mbi 300 qytetarëve të tjerë, si dhe shkatërrimin dhe dëmtimin e mbi katër mijë objekteve të zonës.

Kanë kaluar 4 vjet dhe drejtësia është munguesi më i madh i këtij procesi. Nga 30 të akuzuarit si përgjegjës për humbjen e 26 jetëve, mbi 300 plagosjeve, dhe dëmeve të tjera materiale:

  • 1 prej tyre mbetet ende i pagjykuar dhe i mbrojtur nga imuniteti parlamentar;
  • 10 janë shpallur të pafajshëm;
  • 4 të akuzuar për vrasje nuk janë dënuar për këtë akuzë, por kanë marrë nga 10-18 vjet dënim me burgim për vepra penale të tjera si “shkatërrim prone nga pakujdesia” apo “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.

Qartazi, vendimi i Gjykatës së Tiranës i datës 12 mars 2012 nuk i përgjigjet shkallës së tragjedisë dhe përgjegjësive për Gërdecin dhe lë pa autorë vrasjet që shkaktuan vdekjen e 26 viktimave të pafajshme. Vendimi nuk dha drejtësi, por u karakterizua nga një proces gjyqësor i padrejtë dhe deficitar. Konkretisht:

  • Procesi penal shënoi një rekord seancash gjyqësore (211 seanca) në harkun kohor të thuajse 3 viteve, afërsisht tre herë më shumë se mesatarja e proceseve të tjera të ngjashme. 53% e seancave (112/211 seanca) dështuan për mungesë të avokatëve dhe mosformim të trupit gjykues. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
  • Pavarësisht dëmeve të mëdha materiale, familjarët e viktimave kërkuan dëmshpërblim vetëm të jetëve të humbura dhe ngritën sipas të gjitha rregullave padinë e tyre civile në procesin penal. Gjyqtarët vendosën të veçonin padinë civile nga procesi penal pa dëgjuar zërin e vetë të dëmtuarve. Me justifikimin se padia civile zvarrit procesin, Gjykata e Lartë shpërfilli padinë civile ndërkohë që shumë prej viktimave lanë pas fëmijë të mitur dhe pa asnjë përkrahje. Procesi penal gjithsesi u zvarrit: 211 seanca në 3 vjet.
  • Në përputhje me nenin 342 të Kodit të Procedurës Penale, familjarët e viktimave kërkuan që gjykata të zbatonte ligjin dhe të zhvillonte seanca në çdo ditë pune dhe jo vetëm dy herë në javë. Pas presionit të vazhdueshëm publik dhe ndërkombëtar, gjykata e shtoi vetëm me 1 ditë më shumë në javë zhvillimin e seancave gjyqësore.
  • Prokuroria e Përgjithshme fillimisht u mohoi familjarëve të viktimave të drejtën për t’u informuar lidhur me hetimet, duke iu përgjigjur kërkesave të përsëritura të familjarëve të viktimave vetëm 14 muaj pas tragjedisë, pasi u përball e u detyrua nga gjykata.

Për 3 vjet rresht, familjarët e viktimave kërkuan vazhdimisht një kopje të provave shkresore të disponuara nga vetë Gjykata e Tiranës dhe nga Gjykata e Lartë, për të mbështetur pretendimet e tyre para gjykatës. Asnjë prej kërkesave (4 kërkesa me shkrim) nuk mori qoftë dhe një përgjigje zyrtare.

Të njëjtin fat patën edhe 10 kërkesat e tjera për informacion drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punës, Ministrisë së Shëndetësisë, QSUT Nënë Tereza, Bashkisë Vorë, Uzinës së Poliçanit, Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri, etj. Në ato 5 raste kur është dhënë përgjigje, këto kanë qënë gjysmake dhe të pashoqëruara me dokumentacionin autentik siç e kërkon ligji.

Familjarët e viktimave i kanë kërkuar Ministrit të Drejtësisë të marrë masat e parashikuara nga ligji lidhur me përjashtimin nga taksat tepër të larta e të papërballueshme të vlerës së padisë, të cilat shkojnë me përafërsi rreth 20.7 milionë lekë. Megjithatë, deri më sot nuk është marrë asnjë përgjigje. Barra e taksës e bën të pamundur vijimin e procesit civil nga ana e familjarëve. Cenimi i të drejtës për një proces të rregull ligjor për shkak të mospagimit të taksës gjyqësore është një shkelje e cilësuar si e papranueshme edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

Familjarët e viktimave kanë kërkuar tre herë nisjen e procedurës nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes z. Fatmir Mediu. Këto kërkesa kanë mbetur pa përgjigje.

Dhjetëra të plagosur i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë nisjen e një procesi gjyqësor ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes z. Mediu, por në të dyja rastet Gjykata e Lartë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Të plagosurit i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pranuar ta trajtojë çështjen pa vonesë, por nuk është shprehur ende me një vendim për të qartësuar këtë situatë.

Familjarët e viktimave i knaë kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes nxjerrjen e akteve përkatëse për dëmshpërblimin e tyre, por kjo ministri ia ka deleguar përgjegjësinë firmës private Albademil, duke iu shmangur detyrimeve të veta ligjore. Këshilli i Ministrave nuk ka kthyer asnjëherë përgjigje për ankimin administrativ në fjalë të familjarëve të viktimave, duke shpërfillur të vrarët nga veprimtaria shtetërore e demontimit ushtarak.

Padrejtësia e hasur në çdo hap nga familjarët e viktimave është padrejtësi në kurriz të çdo qytetari shqiptar. Prandaj, nënshkruesit e këtij Peticioni shprehin njëzëri solidaritetin e tyre me familjarët e viktimave dhe të plagosurit e Gërdecit; shprehin njëzëri revoltimin e tyre qytetar ndaj maratonës së padrejtësive të Gërdecit, dhe u kërkojnë njëzëri institucioneve përkatëse të tregohen në lartësinë e situatës dhe të përmbushin detyrat me të cilat i ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi. Konkretisht:

1.      Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim që të mundësohet apelimi nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh. 

2.      Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proçes që përfshin interesat e të gjithëve.

3.      Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.

 4.      Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe të vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi të zgjatur tej mase.

 5.      Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe në përputhje të plotë me sferën e kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.

 6.      Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave dhe Gjykatën e Tiranës të marrin çdo masë të nevojshme për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.

Shoqëria civile shqiptare e ndjen si detyrim të sajin të kërkojë vendosjen në vend të drejtësisë. Tragjedia e Gërdecit është testi më i rëndësishëm për sa i përket mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe i rrënjëve të thella të fenomenit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, dhe njëkohësisht ai mund të transformohet në pikënisjen për arritjen e një sistemi gjyqësor të besueshëm e funksional, në shërbim të qytetarit e jo të pushtetit. Nëse ky proçes dështon, besimi tek drejtësia dhe demokracia do të jetë i pamundur për t’u rekuperuar.

 

Nënshkruesit e peticionit:

  1. Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit, Gërdec
  2. Qendra Res Publica
  3. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros
  4. Qendra e Studimeve Parlamentare
  5. Komiteti Shqiptar i Helsinkit
  6. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim
  7. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, CRCA
  8. Instituti për Studime Publike dhe Ligjore
  9. Blendi Kajsiu, politolog
  10. Andrea Stefani, analist
  11. Lëvizja Mjaft
  12. Ilir Yzeiri, publicist dhe pedagog
  13. Shoqata “Asistencë për Komunitetin në Shqipëri”
  14. Shoqata “Misionarët e të Drejtave Sociale të Kuçovës”
  15. Art Kontakt
  16. Lavdosh Fërruni
  17. Instituti Antonio Gramshi
  18. Leart Kola, aktivist
  19. Arlind Qorri, pedagog i shkencave politike
  20. European Centre
  21. Qendra Kombëtare për Shërbime Komunitare
  22. Qendra për Studime të Avancuara
  23. ARSIS – Organizatë Shoqërore për Përkrahjen e të Rinjve
  24. Forumi i Mendimit të Lirë
  25. Sindikata e Minatorëve
  26. Transparency International Albania
  27. Tirana Legal Aid Society, TLAS
  28. Ervin Çuli, dramaturg

Peticioni është ende i hapur. Nëse do ti bashkangjitesh kontakto andi.kananaj@gmail.com

Për më shumë informacion, lutemi konsultoni faqen e internetit të Qendrës Res Publica:http://www.respublicalb.com

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s