Home

Nga Dorian Matlija

Zyber Lela është një prej të dëmtuarve nga shpërthimi i Gërdecit. Pa dashur të bashkohet me askënd, ai ka preferuar të ndjekë më vete procedurat ligjore kundër fajtorëve që e katandisën një gjysëm njeriu. Zyberi vuante prej disa kohësh nga një sëmundje serioze në zemër dhe për këtë arsye ai ka qenë operuar në qendrën Spitalore “Nënë Tereza”. Pas një operimi të parë në valvulat e zemrës, herën e dytë është bërë tërësisht ndërrimi i valvulës. Për të bërë stabilizimin e ritmit të zemrës ka qenë e detyrueshme të bëheshin edhe dy goditje elektrike në Shqipëri dhe një provë tjetër në Selanik. Në muajin nëntor 2007 është shtruar sërish në QSUT “Nënë Tereza”, Tiranë, dhe ka dalë nga spitali i përmirësuar rreth një muaj përpara shpërthimit tragjik, pas një qendrimi tremujor në spital. Në momentin e shpërthimit, Zyberi ishte i shtrirë në krevat, për të marrë veten nga operacionet dhe ndërhyrjet e shumta, por qetësia e tij është prishur nga shembja e çatisë. Copat e tavanit i kanë rënë përsipër duke ia rihapur plagët e operimit dhe e zunë poshtë. Në atë moment në shtëpi nuk ndodhej askush. Bashkëshortja bashkë me djalin ishin duke punuar tek stacioni i trenit në Tiranë ndërsa nusja e djalit ishte jashtë shtëpisë dhe mbeti pa ndjenja nga vala goditëse. Pas rreth 1 ore tmerr dhe asfiksi nën rrënoja, aty kanë ardhur dy punëtorë që punonin në repartin e cmontimit të predhave. Ata panë shkatërrimin dhe dëgjuan të thirrurat e Zyberit nën rrënoja. Punëtorët me ndihmën edhe të disa barinjve arritën ta nxjerrin nga rrënojat dhe e strehuan diku rreth 300 metra larg banesës në një vend më pak të rrezikshëm. Por fati i keq i Zyberit nuk mbaronte me kaq atë ditë tmerri. Në afërsi të vendit ku ishte sistemuar shpërtheu një predhë tjetër e kalibrit të madh (152 mm) dhe vala goditëse e ka hedhur Zyberin disa metra larg duke e lënë pa ndjenja deri sa u err. Në darkë, teksa barinjtë ktheheshin së bashku me bagëtinë, e kanë cuar sërish në shtëpinë e shembur, mbuluar nën një copë solete betoni për të kaluar natën pasi nuk kishte asnjë mundësi tjetër për të përshkuar zonën e nxehtë që ende gjëmonte nga predhat e mbetura të paplasura. Ushtria dhe policia nuk mund të futeshin sepse ishte erresirë dhe kishte rrezik nga predhat. Kur zbardhi dita, i vëllai Flamur Lela ka detyruar forcat e armatosura që të përdornin blindin dhe të hynin me forcë, pasi nuk liheshin as djemte e Zyberit që të hynin. Transporti është bërë me autoblind nga rrënojat rreth 300 m larg kraterit, deri në zonën e jashtme, jashtë rrezikut nga predhat e paplasura. Në gjendje të shokuar dhe me plagë të hapura, Zyberi është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak. Atje është konstatuar përkeqësimi i gjendjes së ardhur nga shpërthimi dhe në konsultim me mjekun që e kishte operuar është nisur për t’u rioperuar në QSUT Nënë Tereza. Por për shkak të kohës që nuk premtonte sepse gjendja ishte tepër e rëndë dhe e komplikuar, u dërgua për shpejtësi në repartin kardiokirurgjikal në Spitalin Amerikan. Sipas mjekut Andi Kacani, pacienti është ndjekur për një periudhë prej 10 ditësh nën kartelën nr. 2655.

Zyber Lela sot është invalid i certifikuar nga komisioni mjekësor dhe arrin të lëvizë me vështirësi me ndihmën e të afërmve. Prej kohësh ai ka tentuar të kërkojë një rrugëzgjidhje për mbulimin e shpenzimeve të operimeve të shumta që ai ka nevojë për të mbijetuar, por deri në datë 24 maj 2011 askush nuk e mori përsipër përgjegjësinë duke e detyruar Zyberin t’i drejtohet dyerve të gjykatës. Ndërkohë që Res Publica ishte duke kompletuar dosjen përkatëse për të arritur rezultatin e kërkuar nga gjykimi i akuzës së plagosjes e rëndë nga pakujdesia dhe padisë së shkaktimit të dëmi, Gjykata e Lartë pushoi çështjen. Në nisje të seancës Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë drejtuar nga Znj. Evelina Qirjako bëri të ditur se në emër të Z. Zyber Lela ishte depozituar një kërkesë me anë të së cilës ai hiqte dorë nga kërkesa për gjykim ndaj Z. Fatmir Mediu. Kjo kërkesë ishte e papritur nëse merret në konsideratë që në seancën e mëparshme kërkuesi Zyber Lela u shpreh i vendosur për ta çuar çështjen deri në fund, dhe se e vetmja rrugë për t’u tërhequr nga kërkesa e tij ishte marrja përsipër dhe pagimi i të gjithë shpenzimeve për ndërhyrjet kirurgjikale të cilat kushtonin jo pak, por mbi 40 mijë euro. Për t’u theksuar ishte se avokatët e kërkuesit Zyber Lela nuk ishin vënë në dijeni në mënyrë zyrtare. Kurse nga ana tjetër Avokati i Z. Mediu e nisi fjalën e tij duke thënë se do ishte hipokrizi nëse do të thoshte se nuk kishte dijeni për këtë kërkësë të re nga Z. Zyber Lela. Avokatët e Zyber Lelës kërkuan në seancë që kjo kërkesë të trajtohej si të gjitha rastet e tjera analoge nga Gjykata e Lartë, ku kërkesa të tilla të paraqitur vetëm në formën e një deklarate noteriale nuk janë pranuar nga kjo Gjykatë nëse nuk janë dorëzuar nga vetë personi në seancë ose nga përfaqësuesit e tij ligjorë. Hera e fundit kur ka kjo ndodhur ka qënë më 1 dhjetor 2010, kur Gjykata e Lartë me vendimin nr. 1021 shprehej se tërheqja bëhet personalisht nga i dëmtuari ose përfaqësuesi i tij dhe jo përpara noterit publik, dhe se kjo vinte në përputhje të plotë me të gjithë praktikën gjyqësore të konsoliduar tashmë të kolegjit penal të Gjykatës se Lartë në lidhje me vlefshëmërinë ligjore të deklaratave noteriale. Gjykata e Lartë nuk e mori në konsideratë këtë praktikë të konsoliduar nga vetë kjo Gjykatë, duke e ndryshuar atë vetëm për rastin e Fatmir Mediut. Avokatët e Qendrës Res Publica në ndihmë të Zyber Lelës kërkuan gjithashtu që të sqarohej arsyeja e prezencës së një numri të madh të pandehurisht kur në seancën e mëparshme relatorja Z. Evelina Qirjako kishte deklaruar se çështja ishte vetëm kundër Fatmir Mediut, ndërkohë që Zyber Lela kishte paditur vetëm 6 persona, dhe në seancë ishin përfaqësuesit e 30 të pandehurve. Kjo anomali nuk mori asnjë përgjigjie procedurale nga Gjykata e Lartë. Ndërkohë mbetet i paqartë pse ishin lajmëruar nga kjo Gjykatë 30 vetë në një seancë të dytë pa i dhënë shansin që të pajtoheshin në një seancë të parë me kërkuesin Zyber Lela, aspekt i detyrueshëm ky i procedurës penale. Në këtë mënyrë Gjykata e Lartë bëri të mundur vetëm evolimin e çështjes kundër F Mediut, duke u nxituar ta mbyllë atë sa më shpejt, në kundërshtim me praktikën e saj të mëparshme. Në përfundim të seancës Gjykata vendosi pushimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe e kaloi kompetencën e gjykimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për të pandehurit e tjerë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s